KB Rahoveci në finale, KB Ylli në “shtëpi”

Pas Prishtinës, tashmë edhe skuadra e Rahovecit ka siguruar ndeshjet finale të fazës së “Play Offit” në Superligën e Kosovës në basketboll.

Pas dy ndeshjeve të fituara si musafirë ndaj Golden-Eagle Yllit, Rahoveci ka shënuar edhe fitoren e tretë në ndeshjet gjysmëfinale, duke shkruar kështu historinë, pasi që për ta është hera e parë që kalojnë në finale të Superligës.

Në ndeshjen e zhvilluar në “Mizair Isma”, Rahoveci shënoi fitore ndaj Yllit me rezultatin 84-70. Për këtë triumf të ”Vreshtarëve” më meritori ishte Fredd Richardson që shënoi 35 pikë, i ndihmuar nga Arian Qollaku me 15 pikë dhe Deshon Minnis me 12 pikë.

Kurse, te Ylli me lojë të mirë u dalluan; Bamballe Osby me 22 pikë, Alban Veseli me 19 pikë dhe Garrius Holloman me 11 pikë.

Pas kësaj fitore, Prishtina dhe Rahoveci do të takohen në serinë finale për titullin kampion në Superligë.

© SuharekaOnline. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.