Katër vjet pa Legjendën Fadil Vokrri!

09.06.2022

Sot, Legjenda na mungon të gjithëve fizikisht, por përherë mbetet në kujtimet tona si një personalitet i cili me karrierën e tij të bujshme i dha vlera të mëdha futbollit të Kosovës, teksa udhëhoqi me sukses procesin e anëtarësimit në UEFA e FIFA. Fanella me numrin 9 e simbolizonte karrierën e tij madhështore. Tani 9 […]

Katër vjet pa Legjendën Fadil Vokrri! Foto: Ilustrim

Sot, Legjenda na mungon të gjithëve fizikisht, por përherë mbetet në kujtimet tona si një personalitet i cili me karrierën e tij të bujshme i dha vlera të mëdha futbollit të Kosovës, teksa udhëhoqi me sukses procesin e anëtarësimit në UEFA e FIFA.

Fanella me numrin 9 e simbolizonte karrierën e tij madhështore. Tani 9 qershori e simbolizon përkujtimin e tij të përjetshëm, teksa në çdo ndeshje të Kombëtares së Kosovës minuta e 9-të simbolizohet me brohoritjet e tifozëve me emrin e tij.

Fadil Vokrri mbetet pjesë e motivimit të gjeneratave të reja, derisa për shumë breza që kishin fatin të luanin, të punonin e të ishin afër tij mbetet kujtim krenarie.

Jam i nderuar që isha në mesin e miqve të tij të shumtë, por edhe krahu i tij i djathtë në rrugëtimin drejt ndërkombëtarizimit.

Së bashku kaluam nëpër shumë peripeci, por punuam në vazhdimësi me këmbëngulësi që futbolli i Kosovës të jetë në nivelin ku është sot.

Tani arritjet tona janë pjesë e përkushtimit në punë dhe u dedikohen të gjithë atyre që punuan e kontribuuan në futbollin kosovar që nga ditët e para të mëvetësimit.

Sot, në këtë datë, rastisi që Kombëtarja jonë të luajë kundër Irlandës së Veriut, ndeshje e cila do të jetë në përkujtim të tij dhe rezultati i saj, i cili shpresojmë se do të jetë pozitiv, do të jetë i dedikuar për Fadil Vokrrin.

Pusho i qetë LEGJENDË!

Me respekt,
Agim Ademi, president i FFK-së