Kampionati duhet anuluar? Kapiteni i Ballkanit tregon si të veprohet

Në Kosovë ende nuk ka një vendim, por nëse ndodh të anulohet titulli do t’i takojë Ballkanit që është në pozitën e parë

Po bëhen tri javë që kampionati i Kosovës në futboll është pezulluar dhe për momentin nuk ka ndonjë datë të saktë se kur mund të nisë ai.

Në mbledhjen e fundit të UEFA-s përmes një video konference me 55 anëtarët e saja, u morë vendim që në muaji prill dhe maj të mos ketë ndeshje futbolli, duke lënë kështu që kampionati mundësisht të luhet në qershor dhe korrik, shkruan Zëri.info.

Mirëpo, edhe kjo nuk është e sigurt, pasi do të varet nga situata që do të krijojë pandemia COVID-19. Tashmë, disa shtete janë duke e shqyrtuar shumë seriozisht anulimin e këtij kampionati, ashtu siç bëri Belgjika ditë më parë.

Në Kosovë ende nuk ka një vendim, por nëse ndodh të anulohet titulli do t’i takojë Ballkanit që është në pozitën e parë.

Kapiteni i kësaj skuadre Visar Berisha, ka thënë se skuadra është gati të pranojë çfarëdo vendimi që vjen nga UEFA dhe FFK-ja.

“UEFA në mbledhjen e fundit ka sjellë disa vendime por që nuk 100% pra varet nga zhvillimi i pandemisë në të cilën gjendemi të pezulluar tash e tri javë.

Ne si skuadër jemi duke i zhvilluar stërvitjet individualisht secili në kushte shtëpie në

mënyrë që sadopak ta mbajnë formën”, ka thënë fillimisht Berisha për Zëri.info, duke vlerësuar sesa vështirë do të jetë nëse gara duhet të luhet dhe të zhvillohet brenda 2 muajve kur kanë mbetur edhe 11 ndeshje plus edhe takimet për Kupë.

“ Sigurisht që çdo kompeticion në kushte të jashtëzakonshme është i vështirë. Edhe ky i joni nëse vendos në atë kohë do të jetë mjaftë vështirë pasi që ne jemi edhe në garë për Kupë që i kemi edhe disa ndeshje, plus do të mundohemi maksimalisht të jemi të përgatitur për këto faza të jashtëzakonshme në mënyrë që të mbajmë lidershipin dhe të përfundojmë aty edhe ku jemi gati gjatë gjithë kampionatit”, shtoi mbrojtësi therandas duke folur më pas nëse duhet apo jo të anulohet kampionati.

“Ne si skuadër e mirëpresim çfarëdo vendimi të UEFA-s dhe të FFK-së me rast të këtij vendimi ne jemi kampion, po edhe në rast të vazhdimi ne jemi të vendosur me shumë se kurrë t’i shkojmë deri në fund kësaj gare në çfarëdo rrethana.

Për fund kisha bërë apel te të gjithë shoqëritë, klubet, njerëzit, që ta ruajmë qetësinë t’i respektojmë këshillat, udhëzimet që na janë dhënë që të dalim nga kjo situatë e vështirë që e kapluar të gjithë botën. #rrinshpi”, ka përfunduar Visar Berisha.

RAPORTO