Java e 15-të e Superligës, Ballkani përballet me Arbërinë

Sot (e hënë) përfundon edhe java e 15-të e Superligës së Kosovës në futboll me dy ndeshje në program.

Në Suharekë, Ballkani e mirëpret befasinë e fillim-kampionatit, Arbërinë, dhe tre pikët në këtë ballafaqim janë të domosdoshme për “portokallinjtë” për të vazhduar ecurinë e fitoreve.

Në anën tjetër, “Stuhia e Kuqe” vjen pas fitores ndaj Gjilanit dhe kërkon t’i befasojë “Xhebrailat” në shtëpi.

Skuadra e drejtuar nga trajneri i mirënjohur kosovar, Ismet Munishi në pesë takimet e fundit nuk dinë për humbje në elitën e futbollit kosovar, duke korrur katër fitore dhe ka një barazim.

Kurse Arbëria nga Dobraja e Madhe e Lipjanit në pesë duelet e fundit ka dy fitore dhe tri disfata.

Ndërmjet dy skuadrave me synime të kundërta është zhvilluar vetëm një përballje, ajo në Obiliq të këtij edicioni që kishte përfunduar në të mirë të Ballkanit me rezultat 2:4.

Ndeshja ndërmjet Ballkanit dhe Arbërisë fillon nga ora 13:00 dhe zhvillohet pa praninë e publikut për shkak të masave parandaluese për pandeminë me COVID-19. /Zeri.info/

RAPORTO