Interi ia cakton çmimin Romelu Lukakut

Pas 23 majit, kur sezoni do të mbarojë, Interi do të ketë 37 ditë kohë për të kryer lëvizjet në merkato. Parashikohet që viti financiar 2020-21, sipas vlerësimeve aktuale (pra pa operacione dalëse), të mbyllet me një humbje rreth 130-140 milionë euro.

Një mal me para, që do ta detyronte klubin për të ndërhyrë për rikapitalizim. Prandaj është i nevojshëm një tjetër operacion i llojit “Icardi”, me argjentinasin që u ble përfundimisht nga PSG për 50 milionë euro plus bonuset falë aftësisë së dyshes drejtuese Marotta-Ausilio.

Një frymëmarrje e thellë për buxhetin 2019-2020, i mbyllur me një humbje prej 102.4 milionë eurosh. Pa lamtumirën e ish-kapitenit, goditja do të kishte qenë edhe më e fortë.

Kur drejtuesit të nisin planifikimin për skuadrën e sezonit 2021-22, do ta kenë të qartë se disa emra të rëndësishëm do të konfirmohen e ndonjë duhet të sakrifikohet, qoftë dhe me dhimbje, për të rregulluar bilancin.

Sigurisht, nëse Conte do të respektojë vitin e tretë të kontratës së tij (por edhe nëse do të vijë një teknik tjetër), duket shumë e vështirë që i sakrifikuari të jetë Romelu Lukaku. Interi e vlerëson sulmuesin belg 120 milionë euro, pak më shumë se dyfishi i asaj shume që u pagua për ta shkëputur nga Manchester United.

Është folur për interesimin e Manchester City-t dhe Barcelonës, ​​por, për momentin, janë thjesht thashetheme.

RAPORTO