Interesim i madh për sfidën Maqedoni – Kosovë, Dardanët premtojnë spektakël

Kosova nuk ka arritur që të sigurojë një vend në Kampionatin Evropian nëpërmjet ndeshjeve kualifikuese, mirëpo djelmoshat tanë tanimë kanë edhe një mundësi tjetër që të kualifikohen nëpërmjet Nations League.

Kur kanë mbetur edhe më pak se një muaj deri tek ndeshja gjysmëfinale e play-offit, të Nations League Maqedoni-Kosovë, tifogrupi “Dardanët”, tanimë kanë nisur organizimin për të udhëtuar në Shkup për të mbështetur kombëtaren e Kosovës në futboll.

Disa ditë më parë pikërisht “Dardanët”, kanë njoftuar se do të jenë në përkrahje të djelmoshave tanë, duke treguar edhe detaje rreth shitjes së biletave që atyre iu takojnë.

Biletat për këtë ndeshje për tifozët dardanë do të kushtojnë 30 euro, aty do të përfshihen biletat e ndeshjes, rekuizitë (duks me kapelë, shallë me simbole të dardanëve) dhe udhëtimi i organizuar me autobusë.

Këtë e ka konfirmuar edhe vet kryetari i “Dardanëve”, Lulzim Berisha i cili në një intervistë për KosovaPress, fillimisht foli rreth detajeve të organizimit të udhëtimit nga ana e tyre.

“Bashkërisht me Policinë e Kosovës dhe Federatën e Futbollit të Kosovës, në disa takime që kemi pasur dje e pardje, gjitha organizimet vetëm kanë filluar, është transporti, rekuizitat janë sallat, janë udhëtimi janë të gjithë. Udhëtojmë ditën e lojës bashkërisht kemi përcjellje nga Policia e Kosovës deri në kufi, pastaj janë policia e Maqedonisë që do të na përcjellin. Është zona ku ka me qenë e jona do të thotë fanë zona, janë të gjitha të rregulluara. Kontaktet me palët tjera janë thuajse të pamundshme. Niveli i sigurisë është shumë i lartë sepse shteti maqedonas mendon që është loja e nivelit të sigurisë së lartë, kështu që ne jemi në rregull”, u shpreh Berisha.

Luli siç njihet shkurtimisht kryetari i Dardanëve, është shprehur se ka një interesim jashtëzakonisht të madh nga tifozët për të qenë prezentë në shkallët e stadiumit “Toshe Proeski” në Shkup.

“Interesimi është i jashtëzakonshëm. Mendoj që duhet të bëjmë një kërkesë shtesë për bileta sepse në bazë të informatave që i kemi janë 3800 përpos dy tampon zonave që aty nuk ka të drejtë me qëndru askush, shkaku i sigurisë mos me pas afërsi me palën maqedonase, tjerat kemi me bë një kërkesë shtesë në FFK për me pas edhe disa bileta sepse është një numër i caktuar që i kem na, janë 2 mijë”, vazhdoi ai.

Sa i përket disa tifo-grupeve tjera të cilët kanë shprehur dëshirën për të përcjellur nga afër këtë ndeshjes, Berisha u shpreh se nuk është turp ta përkrahësh shtetin tënd, por sipas tij, jo me rrahje, por duke brohoritur në të mirë të futbollistëve të Kosovës.

LEXO EDHE:  Ballkani kërkon nga FFK që këta dy gjyqtarë të mos delegohen në ndeshjet e tij

“Kosova është edhe e tyre, jo veq e imja, ne jemi vetëm një pjesë ndoshta kalimtare që e kemi marrë në kohën më të vështirë. Mendoj që t’i biesh pishman nuk është marre, mendoj që me përkrahë vendin tënd prapë nuk është marre. Mendoj që këtë rrugë duhet me ndjek, të cilën e kemi ndjek ne deri me sot sepse nuk të bën më shqiptar ose më kosovar, dikon që rrehet në tribunë ose që e dëmton shtetin. Mendoj që kjo është ma e mira prej krejt të mirave, me shku me përkrah vendin tënd, më brohorit sa ki zë edhe me u kthy”, potencoi ai.

Ndërsa për rezultatin përfundimtar, ai u shpreh se nuk ka dyshim në fitoren e Kosovës, madje sipas tij, Dardanët tanimë janë duke menduar se si të udhëtojnë në Gjeorgji ose Bjellorusi, të dy këto shtetet që nuk ka njohur ende shtetin e Kosovës.

“Rezultat i kam parashikuar gjithmonë dhe 90% të rasteve kam qenë i saktë. Mendoj që një gol epërsi fitojmë ne dhe vazhdojmë tutje. Çka është ma e rëndësishmja është se duhet me bisedu me të gjitha nivelet shtetërore, duke filluar prej federatës e deri tek shteti për me shiku mundësinë se si ka me qenë udhëtimi në Gjeorgji ose Bjellorusi, këtu është problemi ynë që na preokupon, sepse problem tjetër ne nuk kemi. Fitoren në Maqedoni e konsiderojmë të kryer sepse e dimë se kush ka me lujt dhe secili lojtar i Kosovës e dinë peshën e kësaj ndeshje”, deklaroi Berisha.

Në fund, Berisha ftoi të gjitha tif-grupët për t’iu bashkangjit ur “Dardanëve”, në përkrahjen e tyre ndaj Kosovës. Sipas tij, dera e tifo-grupit “Dardanët” është e hapur për çdo kë dhe në çdo kohë.

“Mendoj që për të gjitha tifo-grupet që po flasin dhe po thonë që, dera këtu është e hapur. Po e shihni edhe vet prej orës tetë, këtu fillojmë me punu ne deri në orët e mbrëmjes vetëm për tifozët e Kosovës, mendoj që dera është hapur për secilin, çka do që ka, sugjerim kritikë, këtu është vendi, mund të vijnë dhe të na bashkangjiten”, përfundoi Berisha.

Kujtojmë që ndeshja Maqedoni-Kosovë zhvillohet më 26 Mars dhe nëse Kosova arrin fitore atëherë do të luajë në finale me fituesin e ndeshjes Gjeorgji – Bjellorusi.