Ilir Daja: Ndaj Sivassporit në Prishtinë do të jetë më vështirë se sa në Turqi

12.10.2022

Trajneri i Ballkanit, Ilir Daja dhe futbollisti Qendrim Zyba përmes një konference për media kanë folur për ndeshjen e nesërme ndaj klubit turk, Sivassporit në kuadër të Ligës së Konferencës. Ndeshja mes FC Ballkanit dhe Sivassporit do të zhvillohet nesër mbrëma me fillim nga ora 21:00 në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, sfidë kjo në […]

Ilir Daja: Ndaj Sivassporit në Prishtinë do të jetë më vështirë se sa në Turqi Foto: Ilustrim

Trajneri i Ballkanit, Ilir Daja dhe futbollisti Qendrim Zyba përmes një konference për media kanë folur për ndeshjen e nesërme ndaj klubit turk, Sivassporit në kuadër të Ligës së Konferencës.

Ndeshja mes FC Ballkanit dhe Sivassporit do të zhvillohet nesër mbrëma me fillim nga ora 21:00 në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, sfidë kjo në kuadër të rrethit të katërt të Grupit G në Ligën e Konferencës.

Trajneri i Ballkanit, Ilir Daja ka thënë se pret ndeshje më të vështirë sesa ajo e luajtur javën e kaluar në Turqi, ku klubi suharekas fituan me rezultat 3-4.

Daja tha se Sivasspori kërkon revanshin ndaj suharekasve, por sipas tij Ballkanin e bënë më të fortë për shkak se Sivasspori e klubet e tjera në grupin G kanë më shumë eksperiencë.

“Presim të jetë një ndeshje akoma më e vështirë sesa në Turqi. Ata vijnë nga një fitore si vendas në kampionat. Ata kërkojnë revanshin ndaj nesh. Neve na bën më të fortë për shkak të se Sivasspori dhe ekipet tjera në grup kanë më shumë eksperiencë”, tha Daja në konferencë për media.

Aktualisht në Grupin G të Ligës së Konferencës, Ballkani ndodhet në vendin e parë me katër pikë, po aq sa kanë edhe klubet si Sivasspori, Slavia Praha dhe Cluji.