Hidhet shorti, Folgore kundërshtari i FC Prishtinës në Champions League
Me përfundimin e sezonit 2020/21 në Superligën e Kosovës, FC Prishtina është shpallur kampione pasi që ishte në pozitën e parë me 78 pikë, duke lënë pas Dritën me 76 pikë dhe Ballkanin me 74 pikë. Pas shpalljes si kampion i Kosovës, Prishtina ka siguruar vend në Champions League, ku do të përfaqësojë Kosovën në […]
Me përfundimin e sezonit 2020/21 në Superligën e Kosovës, FC Prishtina është shpallur kampione pasi që ishte në pozitën e parë me 78 pikë, duke lënë pas Dritën me 76 pikë dhe Ballkanin me 74 pikë.
Pas shpalljes si kampion i Kosovës, Prishtina ka siguruar vend në Champions League, ku do të përfaqësojë Kosovën në parakualifikimet e këtij kompeticioni.
Sot klubi kosovar ka mësuar kundërshtarin e saj në kuadër të fazës parakualifikuese për Champions League.
Ekipi nga kryeqyteti i Kosovës do të përballet me Folgore nga San Marino. Ndeshja tjetër gjysmëfinale do të jetë mes Havnar Boltfelag dhe Inter Club d’Escaldes.
Ndërsa pasi u mësuan kundërshtarët, trajneri i Prishtinës, Zekirija Ramadani ka analizuar shortin si dhe përballjen me Folgoren e San Marinos.
Ramadani ka theksuar se janë të kënaqur me shortin e hedhur sot në Nyon të Zvcirës, por nuk iu jep komoditet, pasi që kanë pak njohuri për kundërshtarin.
Po ashtu ai tha se si klub janë duke u përgatitur maksimalisht për këtë turnir.
“Short siç kemi dëshiruar. Por, nëse e marrim që ka mbaruar puna me short, atëherë kemi dështuar. Besoj që do të gjejmë formën optimale që të përballojmë me sukses kampionët e San Marinos.
Jemi duke u përgatitur maksimalisht për këtë turnir, shorti i të cilit na gëzon, por nuk na jep aspak komoditet. Kemi pak njohuri për kundërshtarin, por do t’i hulumtojmë dhe analizojmë deri sa të vijë dita e ndeshjes”, ka thënë trajneri i klubit të kryeqytetit, Zekirija Ramadani.
Ndryshe, ndeshjet e raundit parakualifikues të këtij kompeticioni do të zhvillohet më 22 dhe 25 qershor në stadiumin “Air Albania” në kryeqytetin e Shqipërisë, Tiranë.