Golden Eagle Ylli shënon progres në renditjen e Superligës

28.10.2021

Ashtu si xhiro e 7-të, edhe në xhiron e 8-të janë zhvilluar ndeshje interesante, ku vëmendja ishte tek derbi në Suharekës mes Golden Eagle Yllit dhe Trepçës. Po ashtu, në këtë xhiro u zhvillua edhe ndeshja mes Sigal Prishtinës dhe Dritës. Golden Eagle Ylli ka triumfuar në derbi ndaj Trepçës me rezultat 91:68 (23:29, 20:11, […]

Golden Eagle Ylli shënon progres në renditjen e Superligës Foto: Ilustrim

Ashtu si xhiro e 7-të, edhe në xhiron e 8-të janë zhvilluar ndeshje interesante, ku vëmendja ishte tek derbi në Suharekës mes Golden Eagle Yllit dhe Trepçës.

Po ashtu, në këtë xhiro u zhvillua edhe ndeshja mes Sigal Prishtinës dhe Dritës.

Golden Eagle Ylli ka triumfuar në derbi ndaj Trepçës me rezultat 91:68 (23:29, 20:11, 29:12, 19:16). Fillimi i ndeshjes ishte i barabartë deri tek rezultati 12:12 dhe më pas mysafirët krijuan epërsi prej pesë pikësh 16:21, ndërsa çereku i parë përfundon 23:29.

Vendasit e nisën më mirë periudhën e dytë, duke barazuar shifrat në 30:30, e më pas për të kaluar në epërsi 39:33, dhe më pas zhvillohet lojë e baraspeshuar, ndërsa skuadrat shkuan në pushim me shifrat 43:40.

Therandasit vazhduan me lojë të mirë edhe në pjesën e dytë, ku dallimin e bënë në periodën e tretë. Ata ngritën epërsinë minutë pas minute, duke arritur deri në 20 pikë epërsi 72:52, sa ishte rezultati në semafor pas 30 minutash. Në 10 minutat ata menaxhuan epërsinë e krijuan dhe në fund triumfuan me rezultat bindës 91:68.

Te Golden Eagle Ylli u dalluan Mikaile Tmusiq me 21 pikë, shtatë kërcime e pesë asistime, Cameron Williams me 20 pikë, pesë kërcime e dhjetë asistime dhe Ardit Pepaj me 20 pikë, kurse te Trepça u dalluan Amin Hot me 17 pikë, nëntë kërcime e shtatë asistime dhe Drilon Hajrizi me 19 pikë.

Ylli ka katër fitore dhe katër humbje, ndërsa Trepca pesë fitore dhe dy humbje.  

Sigal Prishtina ka fituar pa problem ndaj RC Cola Dritës me rezultat të thellë 105:53 (29:10, 31:18, 26:19, 19:6), në kuadër të javës së tetë të Superligës së Kosovës në basketboll.

Skuadra prishtinase ishte më e mirë nga fillimi deri në fund për të shënuar fitoren e katërt këtë edicion (ka edhe tri humbje), ndërsa gjilanasit mbeten skuadra e vetme në elitë pa fitore, duke regjistruar tetë humbje në tetë ndeshje.

Vendasit e filluan furishëm duke pasur 24 pikë epërsi në çerekun e parë, 28:4, ndërsa kjo pjesë përfundoi 29:10. Epërsinë e thelluan në periudhën e dytë, ku më e larta ishte 34 pikë, 58:24, ndërsa skuadrat shkuan në pushim me shifrat 60:28.

Kryeqytetasit nuk u ndalën as në periodën e tretë, ndërsa mysafirët nuk kishin zgjidhje për lojën e tyre. Kështu epërsia sa vinte e shtohej, ku shkoi deri në 42 pikë, 81:39, ndërsa rezultati në semafor pas 30 minutash ishte 86:47. 10 minutat e fundit ishin vetëm formalitet, ku fituesi dihej, dhe ajo ishte Sigal Prishtina që triumfoi me rezultat 105:53.

Ndërkaq, sa i përket renditjes tabelare, Peja renditet e para me 13 pikë, duke lënë pas Prizreni-16 me 12 pikë dhe Trepçën me 12 pikë, ndërsa Golden Eagle Ylli renditet në pozitën e 4-të me 12 pikë, në atë të 5-të Sigal Prishtina me 11 pikë, Bashkimi në të 6-të me 11 pikë, kurse Rahoveci në pozitën e 7-të me 8 pikë dhe në të fundit (8-të) renditet Drita me 8 pikë.