Golden Eagle Ylli me rikthim të jashtëzakonshëm, “rrëmben” pozitën e parë në Superligë

18.11.2021

Tashmë dy derbi veçse janë zhvilluar, ku dhuruan spektakël në këtë xhiro. Gjatë ditës së djeshme është zhvilluar derbi mes Sigal Prishtinës dhe Golden Eagle Yllit, ku klubi basketbollistik nga Suhareka ka shënuar fitore ndaj prishtinasve në udhëtim 70:72 (25:21, 23:12, 14:24, 8:15). Pas një fillimi të baraspeshuar në pesë minutat e parë, vendasit fillojnë […]

Golden Eagle Ylli me rikthim të jashtëzakonshëm, “rrëmben” pozitën e parë në Superligë Foto: Ilustrim

Tashmë dy derbi veçse janë zhvilluar, ku dhuruan spektakël në këtë xhiro.

Gjatë ditës së djeshme është zhvilluar derbi mes Sigal Prishtinës dhe Golden Eagle Yllit, ku klubi basketbollistik nga Suhareka ka shënuar fitore ndaj prishtinasve në udhëtim 70:72 (25:21, 23:12, 14:24, 8:15).

Pas një fillimi të baraspeshuar në pesë minutat e parë, vendasit fillojnë shkëputjen, duke pasur epërsi në dhjetë pikë, 25:15, por gjashtë pikë radhazi nga mysafirët bënë që çereku i parë të përfundojë me shifrat 25:21. Therandasit vazhduan me lojë të mirë për të kaluar në epërsi 25:26, por nga ky moment fillon rikthimi i kryeqytetasve, që shkuan deri në 16 pikë epërsi 48:32, ndërsa pjesa e parë përfundon me shifrat 48:33.

Epërsia më e lartë e bardhekaltërve shkoi deri në 20 pikë, 53:33, por kampionët e Kosovës nuk u dorëzuan dhe filluan dalëngadalë të shkrijnë epërsinë, ku rezultati në semafor pas 30 minutash ishte 62:57. Lojë interesante u zhvillua në dhjetë minutat e fundit, ku në çastet vendimtare më të vëmendshëm u treguan therandasit që fituan 70:72, edhe pse luajtën pa Gëzim Morinën dhe Erjonin Kastratin, të lënduar për këtë përballje.

Te Sigal Prishtina u dalluan Muhamedali Janjeva me 12 pikë e 11 kërcime dhe Nick Tomsick me 21 pikë, kurse te Golden Eagle Ylli u dalluan Berret Benson me 20 pikë e 11 kërcime dhe Mikaile Tmusiq me 25 pikë.

Sigal Prishtina ka gjashtë fitore dhe pesë humbje, kurse Golden Eagle Ylli ka tetë fitore dhe katër humbje.

Ndërkaq, dje u zhvillua edhe ndeshja mes Bashkimit dhe Rahovecit, ku prizrenasit kanë shënuar fitore ndaj vreshtarëve me rezultat 87:65 (28:25, 21:18, 18:12, 20:10), në kuadër të javës të 11-të në Superligën e Kosovës në basketboll.

Mysafirët e nisën ndeshjen më mirë, duke pasur shtatë pikë dallim 14:21, por më pas rikthehen vendasit për të përmbyllur çerekun e parë me rezultat 28:25. Periudha e dytë ishte interesante, por tek rezultati 29:29, prizrenasit hyn në një seri prej 10:0 për rezultatin 39:29, megjithatë Vreshtarët nuk dorëzohen duke afruar shifrat në 45:43, kurse pjesa e parë përfundon me rezultat 49:43.

Basketbollistët e Bashkimit e nisën furishëm pjesën e dytë, përkatësisht periudhën e tretë, duke arritur epërsinë më të madhe, 65:48 dhe e menaxhuan epërsinë, ndërsa rezultati në semafor pas 30 minutash ishte 67:55. Bashkimi ishte bindshëm më i mirë në dhjetë minutat e fundit, 20:10, për të triumfuar në fund me rezultat 87:65.

Te Bashkimi u dalluan Avi Tomer me 24 pikë e nëntë kërcime dhe Julien Lewis me 22 pikë e 10 kërcime, kurse te Rahoveci nga 14 pikë shënuan Musab Mala dhe Milik Yarbough, ndërsa 12 shtoi Fisnik Rugova.

Bashkimi ka gjashtë fitore dhe pesë humbje, kurse Rahoveci dy fitore dhe nëntë humbje.

Golden Eagle Ylli ka shënuar progres të jashtëzakonshëm në Superligë, kështu duke “rrëmbyer” pozitën e parë të Superligës së Kosovës.

Suharekasit renditen në pozitën e parë me 20 pikë, duke lënë pas Trepçën me 18 pikë dhe Sigal Prishtinën me 17 pikë.

Ndërkaq, Bashkimi renditet në pozitën e 4-të me 17 pikë, në të 5-të Peja me 16 pikë, në të 6-të Prizreni-16 me 15 pikë, ndërsa në vendin e 7-të renditet Rahoveci me 13 pikë dhe në të fundit Drita me 10 pikë.