Gjilani: Nuk është aspak korrekte që Ballkani të shpallet kampion

Gjilani është njëra prej skuadrave pretendente për titullin kampion në Superligën e Kosovës këtë edicion.

Së bashku me Dritën, Ballkanin e FC Prishtinën, Gjilani i Gentjan Mezanit e do titullin e kampionit.

Megjithatë, garën e këtyre katër skuadrave e ka lënë pezull pandemia COVID-19 e njohur ndryshe si koronavirus.

Qeveria e Kosovës në mesin e masave të marra për parandalimin e përhapjes së këtij virusi, ka vendosur ta pezullojë edhe edicionin aktual të futbollit kosovar.

Ende nuk ka ndonjë datë të sigurtë se kur do të rinisë edicioni, teksa është përfolur edhe për mundësinë e anulimit të kampionatit, ashtu siç ka bërë Belgjika.

Vendimin eventual të anulimit të kampionatit elitar kosovar e ka komentuar edhe drejtori i Gjilanit, Sallah Sherifi.

Në një bisedë me Zëri.info, Sherifi ka thënë se klubi i Gjilanit është duke e pritur vendimin e UEFA-s, që pritet të merret nesër.

“Ne jemi duke e pritur vendimin e UEFA-s që do të merret nesër dhe të shohim se çfarë do të ndodhë. Shpresoj se do të jepet drita jeshile për fillimin e garave”, ka thënë fillimisht Sherifi.

“Nëse UEFA dhe FIFA së bashku me FFK-në vendosin për ndërprerjen e kampionatit, ne e shohim si kampionat të mbyllur, atëherë vetë renditja tabelore i jep mundësinë skuadrës së parë ta përfaqësojë vendin në Ligën e Kampionëve, si dhe vendit të dytë dhe të tretë”, tregon më tej ai.

Megjithatë, tani për tani, Sherifi nuk e sheh si vendim të drejtë anulimin e edicionit.

“Në këtë situatë siç jemi, nuk është korrekte të shpallet kampion Ballkani. Diferenca mes skuadrëve së parë dhe të dytë është një pikë, kur kanë mbetur edhe 11 xhiro”, përfundoi Sherifi.

Pas 22 javësh, Gjilani renditet në vendin e tretë në tabelë me 41 pikë të tubuara, tri më pak se lideri, Ballkani.

RAPORTO