FIFA qartëson shumë gjëra: Stadiumet pa tifozë më 2020, më mirë pa futboll se me maska

Futbolli do të rikthehet, por vetëm pas dyerve të mbyllura të stadiumeve për vitin 2020. Qëndrimi i zv.presidentit të FIFA-s, Victor Montagliani, është i qartë: “Kur do të jenë në gjendje tifozët të kthehen në stadiume? Personalisht nuk shoh ndonjë ndeshje me publik në vitin 2020. Për këtë vit mendoj se është shumë e vështirë, por vlen edhe për sportet e tjera. Rifillimi i trajnimit do të ishte një mesazh i rëndësishëm. Ngadalë duhet të kthehemi në jetën normale. Por, nëse futbolli ka bërë gjithnjë atë që dëshironte, këtë herë duhet t’i përmbahet asaj që do të thonë autoritetet shëndetësore dhe qeveritare”.

Sipas tij, futbollistët nuk do të vënë maska gjatë stërvitjes dhe ndeshjeve, edhe pse kjo po sugjerohet si një nga msat mbrojtëse nga OBSH: “Lojtarët në fushë me maskë? Nëse duhet të luhet futboll ashtu, më mirë jo. Është diçka që shkon shumë përtej normales. Kur të kthehemi të luajmë futboll, duhet të jetë futbolli që njohim. Edhe presidenti Infantino ishte shumë i qartë për këtë: sot jetët njerëzore kanë më shumë rëndësi sesa futbolli, ndërkohë ne jemi duke punuar që të jemi në gjendje të kthehemi në kushte sa më normale. Nëse duhet të presim më gjatë për të luajtur, do të presim”.

Lidhur me pritshmëritë se kur do të rikthehet futbolli, zv.presidenti shtoi: “Datat që kemi sot janë thjesht numra. Do të ketë vend edhe për ekipet kombëtare, edhe pse duhet ta sistemojmë kalendarin”. Lidhur me qëndrimin e FIFA-s për zgjatjen përtej 30 qershorit të kontratave të lojtarëve, që skadojnë në këtë datë, Montagliani shtoi: “Lojtarët dhe klubi duhet të merren vesh mes tyre. Megjithatë, ideja e merkatos së hapur deri në dhjetor është lënë mënjanë. Ne vendosëm se ishte më mirë t’i përmbaheshim periudhës së 16 javëve në dispozicion të transferimeve”.

RAPORTO