FFK reagon nga Beogradi: Kosova u përfaqësua me dinjitet, Serbia po përzien politikën në sport
Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të Federatës së Futbollit të Serbisë pas Kongresit të 49-të të UEFA-s, i mbajtur në Beograd.
Foto: Ilustrim
Në një komunikatë zyrtare, FFK ka hedhur poshtë pretendimet e Serbisë se Kosovës iu hoqën simbolet shtetërore, duke theksuar se përfaqësimi i Kosovës ishte i dinjitetshëm dhe në përputhje të plotë me statusin e saj si anëtare e barabartë në UEFA dhe FIFA.
“Në këtë ngjarje të rëndësishme të futbollit evropian, ashtu si çdo federatë tjetër anëtare, Kosova u prezantua me simbolet e saj shtetërore,” thuhet në komunikatën e FFK-së, duke shtuar se deklaratat e Federatës serbe janë të pabaza dhe dëshmojnë “tendencën e vazhdueshme të përzierjes së politikës në sport nga ana e Serbisë.”
FFK ka theksuar se prania e delegacionit të Kosovës në Beograd dhe valëvitja e flamurit shtetëror përkrah atyre të shteteve të tjera mund të jetë e papranueshme për politikën dhe një pjesë të opinionit në Serbi, por “shteti i Kosovës është një realitet i pakthyeshëm.”
Lidhur me pretendimet për largimin e flamurit shtetëror të Kosovës, FFK ka sqaruar se Kosova ishte e përfaqësuar zyrtarisht me simbolet e saj shtetërore gjatë gjithë kohës së punimeve të Kongresit. Çdo veprim i mundshëm në përfundim të mbledhjes, kur presidenti i FFK-së nuk ishte më në sallë, nuk e ndryshon faktin se Kosova është dhe mbetet pjesë e barabartë e këtij organizimi.
FFK ka dënuar ashpër edhe veprimet e tifozëve serbë, të cilët kanë djegur flamurin e Kosovës në Beograd, duke i konsideruar ato si veprime kundër vlerave që promovon UEFA. Federata ka njoftuar se do të paraqesë notë proteste në UEFA dhe institucionet tjera ndërkombëtare lidhur me këto veprime.
Në fund, FFK ka falënderuar UEFA-n për trajtimin e mirë dhe mbështetjen e vazhdueshme për zhvillimin e futbollit në Kosovë, duke ritheksuar angazhimin e saj për të përfaqësuar Kosovën me dinjitet në arenën ndërkombëtare.