FFK do të jetë përkrah talentëve të KF Ballkanit, të prekur me COVID-19

Federata e Futbollit e Kosovës shpreh mbështetjen e plotë për dy vëllezërit Kolgeci – futbollistë të grupmoshave të reja të KF “Ballkani”, të cilët kanë rezultuar pozitiv me virusin Covid-19.

Në këtë periudhë të vështirë nëpër të cilën po kalon vendi ynë si pasojë e kësaj pandemie, presidenti Agim Ademi, Komiteti Ekzekutiv dhe të gjitha organet e tjera të FFK-së edhe një herë shprehin përkrahjen e tyre të parezervë në tejkalimin sa më të shpejtë të kësaj gjendje.

FFK do të jetë në vazhdimësi afër familjes së këtyre talenteve për çfarëdo që ka nevojë deri në shërimin e tyre.

Futbollistët tanë që nga mosha e re kaliten për të kaluar çdo vështirësi dhe për t’u përballur me sukses kundër çdo kundërshtari e çdo sfide. Në këtë frymë pa dyshim zhvillohen edhe futbollistët e rinj të Suharekës, vatër kjo e njohur për futbollin tonë dhe me përplot talente të futbollit. Prandaj, jemi të sigurt që dy djemtë e ri të këtij klubi do ta kalojnë shpejt e pa asnjë pasojë edhe këtë sfidë shëndetësore dhe sapo të krijohen kushtet do t’i kthehen fushës së gjelbër për ta zhvilluar tutje talentin e tyre, në mënyrë që një ditë ta bëjnë krenar jo vetëm KF ‘Ballkani’ por edhe Kosovën me cilësitë dhe vlerat e tyre.

Shërim të shpejtë vëllezërve Kolgeci!

RAPORTO