Evropiani i Xhudos, Gjakova i shtati, Cena me dy fitore, pas triumfit të Distrias

24.04.2025

Dita e dytë e Kampionatit Evropian të Xhudos në Podgoricë solli paraqitje të vlerësueshme nga xhudistët kosovarë, Akil Gjakova dhe Dardan Cena, pas medaljes së artë historike të Distria Krasniqit një ditë më parë.

Akil Gjakova, duke garuar në kategorinë -73 kg, e nisi mbarë garën duke kaluar rrethin e parë pa luftë. Më pas, ai shënoi dy fitore radhazi, duke u kualifikuar për në çerekfinale. Në një ndeshje të ashpër dhe të gjatë, që zgjati rreth 16 minuta, Gjakova u ndesh me legjendën gjeorgjiane, Lasha Shavdatuashvilli. Pavarësisht një performance luftarake, Akili pësoi humbje dhe më pas u ndal në rrugëtimin e tij për medaljen e bronztë përmes repesazhit. Ai përfundoi kampionatin në vendin e shtatë.

Edhe Dardan Cena shfaqi një formë të mirë në këtë kampionat. Ai arriti deri në 1/8 e finales, duke regjistruar dy fitore të rëndësishme.

Dy fitoret e Cenes dhe vendi i shtatë i Gjakovës konsiderohen si rezultate pozitive në një konkurrencë tejet të fortë të kategorisë -73 kg. Këto arritje vijnë pas suksesit të jashtëzakonshëm të Distria Krasniqit, e cila dje fitoi medaljen e artë në kategorinë -52 kg, duke ngritur lart flamurin e Kosovës në këtë eveniment prestigjioz.