Europa League/ Sot në fushë Inter e Manchester United

Nis sot faza “Final Eight” e Ligës së Kampioneve me ndeshjet çerekfinale që do të luhen të gjitha në Gjermani.

Këtë mbrëmje do të mësohen emrat e dy skuadrave të para gjysmëfinaliste dhe në fushën e lojës do të zbresin Interi që do të përballet me Bayer Leverkusen dhe Manchester United që do të luajë ndaj Copenhagen. Interi që në 1/8 e finaleve eliminoi Getafen do të besojë kryesisht te Romelu Lukaku në këtë ndeshje me belgun që do të kërkojë të imitojë Fenomenin Ronaldo që në 1997/98 shënoi 34 gola e që për më tepër drejtoi Interin drejt fitores së Kupës UEFA.

Belgu deri tani është në kuotën e 30 golave dhe shanset që edhe ai të ndihmojë Interin të fitojë këtë kompeticion janë të mëdha. Por Interit i duhet që fillimisht të kalojë pengesën Leverkusen që shpresat më të mëdha i ka te talenti Kai Havertz me skuadrën gjermane që sipas trajnerit Peter Bosz do të luajë pa frikë ndaj një kundërshtari si Interi që e respekton në maksimum

Ndërsa Manchester United do të luajë me Copenhagen. Trajneri Solskjaer konfirmoi se në këtë ndeshje do të mungojë Jones, ndërkohë që norvegjezi duhet të vendosë edhe për portën. Romero ka qenë këtë sezon portieri i Europa League për Djajtë e Kuq, por nuk përjashtohet mundësia që këtë radhë të aktivizohet De Gea. Kjo ndeshje do të jetë edhe sfida mes dy trajnerëve Solskjaer dhe Solbakken të cilët kanë luajtur përkrah njëri-tjetrit kur ishin futbollistë, me këta të fundit që nuk ngurruan të vlerësojnë në maksimum cilësitë e kundërshtarëve respektivë.

Të dyja ndeshjet e para çerekfinale të Europa League do të luhen në orën 21:00.

© SuharekaOnline. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.