Kjo javë pritet të jetë tejet emocionuese dhe vendimtare, pasi do të përcaktojë se cila skuadër do të zërë vendin e parë mes Bashkimit dhe Trepçës, si dhe do të qartësojë pozicionet përfundimtare para fazës së “Play-off”-it për Pejën, Golden Eagle Yllin dhe Vëllaznimin.

Bashkimi dhe Trepça tashmë kanë siguruar biletat për gjysmëfinalet e “Play-off”-it, duke treguar dominancën e tyre gjatë sezonit të rregullt. Ndërkohë, Sigal Prishtina, Peja, Golden Eagle Ylli dhe Vëllaznimi do të jenë pjesë e çerekfinaleve, duke premtuar ndeshje interesante dhe plot rivalitet. Në anën tjetër, skuadra e Borës do të duhet të luftojë për mbijetesë në “Play-out”, ndërsa Proton Cable Prizreni e mbyll këtë edicion në vendin e fundit.

Dita e sotme hapet me sfidën mes Proton Cable Prizrenit dhe Golden Eagle Yllit. Prizrenasit, të renditur në fund të tabelës me vetëm pesë fitore dhe 22 humbje, do të kërkojnë një mbyllje sa më dinjitoze të sezonit para tifozëve të tyre. Nga ana tjetër, Golden Eagle Ylli, me 14 fitore dhe 13 humbje (aq sa ka edhe Peja), do të synojë të marrë pikët e plota për të siguruar një pozicion sa më të mirë para “Play-off”-it.

Ndeshja e dytë e ditës së sotme do të jetë ajo mes Trepçës dhe Borës. Kampionët aktualë të ligës do të udhëtojnë drejt Prishtinës me objektiv të qartë: fitoren dhe rrëmbimin e vendit të parë në tabelë. Bora, e cila gjendet në vendin e shtatë me nëntë fitore dhe 18 humbje në edicionin e tyre debutues në Superligë, do të luajë në “Play-out” kundër finalistit të Ligës së Parë për një vend në elitë sezonin e ardhshëm.

Nesër pritet të zhvillohen edhe dy ndeshjet e tjera vendimtare. Një vëmendje e veçantë do të jetë e fokusuar në duelin mes Bashkimit dhe Pejës në Prizren. Kjo përballje pritet të jetë mjaft interesante, pasi të dyja skuadrat do të japin maksimumin për të siguruar fitoren. Bashkimi, aktualisht në krye të tabelës me 19 fitore dhe tetë humbje, do të kërkojë të ruajë epërsinë dhe të sigurojë pozitën e parë para “Play-off”-it. Peja, me 14 fitore dhe 13 humbje, do të synojë një fitore që do t’i jepte një shtysë të rëndësishme psikologjike para fazës finale.

Java e 28-të do të mbyllet me ndeshjen mes Vëllaznimit dhe Sigal Prishtinës në Gjakovë. Kjo përballje sjellë në kujtesë finalen e fundit të Ligës Unike, ku Vëllaznimi arriti të triumfojë. Vëllaznimi, me 13 fitore dhe 14 humbje, do të kërkojë të shfrytëzojë epërsinë e terrenit vendas për të marrë një fitore të rëndësishme. Nga ana tjetër, Sigal Prishtina, e renditur në vendin e tretë me 16 fitore dhe 11 humbje, do të synojë të marrë pikët e plota për të ruajtur pozicionin para “Play-off”-it.