Edon Zhegrova i thotë ‘po’ Juventusit: Kontratë pesëvjeçare me 2.5 milionë euro në vit
Ylli i përfaqësueses së Kosovës, Edon Zhegrova, është shumë pranë një transferimi të madh në Serie A. Sipas ekspertit të njohur italian të merkatos, Nicolo Schira, sulmuesi anësor ka arritur marrëveshje personale me Juventusin për një kontratë pesëvjeçare që do t’i sigurojë atij 2.5 milionë euro në vit plus bonuse.
Raportohet se Zhegrova tashmë i ka dhënë “dritën jeshile” klubit torinez, duke pranuar kushtet e kontratës që do të zgjasë deri në vitin 2030. Ndërkohë, Juventusi po synon të mbyllë marrëveshjen edhe me klubin e tij aktual, Lille, duke shfrytëzuar faktin se lojtari ka njoftuar se nuk do ta rinovojë kontratën. Kontrata aktuale e Zhegrovës me klubin francez skadon në qershor të vitit 2026.
Sipas mediave italiane, marrëveshja mes dy klubeve pritet të mbyllet në një shumë që varion nga 18 deri në 20 milionë euro. Për Juventusin, transferimi i Zhegrovës shihet si një përforcim i rëndësishëm për repartin ofensiv, sidomos në krahët e sulmit.
Zhegrova iu bashkua Lille-it në janar të vitit 2022 nga Baseli. Që atëherë, ai ka zhvilluar 80 paraqitje në Ligue 1, duke realizuar 15 gola dhe duke dhuruar 13 asistime. Performanca e tij e ka kthyer në një prej lojtarëve më të vlerësuar të skuadrës dhe një emër të kërkuar në tregun evropian të transferimeve.
Me këtë hap, 26-vjeçari kosovar pritet të nisë një kapitull të ri në karrierën e tij, duke u bërë pjesë e njërit prej klubeve më të mëdha në Evropë dhe një emër që tifozët e Juventusit shpresojnë të shndërrohet në lider të krahut ofensiv.