Nën moton “Ti mund ta bësh – You can do it”. Organizuar në bashkëpunim me Drejtorinë për Kulturë, Rini, Sport dhe Mërgatë dhe Pedagogët e edukatës fizike, që si projekt u mbështet nga Federata e Futbollit të Kosovës.
Fitues i projektit është SHFMU “Edit Durham” nga Mushtishti, ndërsa vendi i dytë, i ka takuar SHFMU “Iliria”, nga fshati Savrovë.
Në këtë rekrutim morën pjesë 12 shkolla nga Komuna e Suharekës, ku u pa interesim dhe dëshirë e madh e vajzave të reja për futbollin.

Hapjen e turneut e bënë kryetarja e Komisionit të Futbollit të Femrave dhe njëherësh anëtarja e KE të FFK-së, Vjollca Krasniqi dhe nënkryetarja e komunës së Suharekës, Mihrije Suka, derisa e pranishme ishte edhe shefja e futbollit të femrave në FFK, Valbona Uka-Gashi, si dhe përzgjedhësi i Kombëtares U19 dhe U16 të femrave, Kushtrim Munishi, i cili i ka ndjekur ndeshjet nga afër në kërkim të talenteve që në të ardhmen mund t’i bashkohen pse jo edhe ekipeve kombëtare.

Në fund fitues i këtij turneu doli ekipi i SHFMU “Edit Durham” nga Mushtishti, i cili do ta përfaqësojë komunën e Suharekës në turneun final në fund të këtij viti pas përfundimit të turneve në 14 komunat që janë pjesë e këtij projekti, e që do të zhvillohet në Prishtinë.
Ashtu sikurse në turneun e Mitrovicës edhe në Suharekë FFK-ja për të gjitha shkollat pjesëmarrëse ka dhuruar nga 6 topa të futbollit, derisa për ekipet më të mira janë ndarë kupa dhe mirënjohje.
