Vetëm 500 minuta në 13 ndeshje mes kampionatit Spanjoll dhe Ligës së Kampionëve, duket se nuk e kanë kënaqur plotësisht mesfushorin, Arturo Vidal.

Në një intervistë për mediat spanjolle deklaroi se do të rishikojë të ardhmen e tij, duke mos e përjashtuar mundësinë që t’i thotë lamtumirë Barcelonës.

Mesfushori ka marrë shpesh garancinë e trajnerit Valverde, se është brenda projektit teknik, por minutat në fushë tregojnë se nuk është pjesë e rëndësishme e “blaugranave”, ndaj edhe Vidal ka dyshime për të ardhmen.

“Nëse nuk ndihem i rëndësishëm, në dhjetor, ose në verë duhet të gjej një zgjidhje tjetër, për t’u rikthyer si protagonist”, u shpreh Vidal, raporton GazetaExpress

“Do të më pëlqente të qëndroja te Barça përgjithmonë, por duhet të jem objektiv dhe të analizoj gjërat ditë pas dite”.

Vidal kërkohet me ngulm nga Antonio Conte te Interi, që po kalon një moment të vështirë në atë repart, për shkak të dëmtimeve të shpeshta, ndaj zikaltrit janë gati të tentojnë transferimin e tij që në janar, kurse vetë Vidal sapo ka dhënë sinjale se mund të ndodhë diçka e tillë.