Dyshimet për kurdisje të ndeshjeve në Superligë, Ballkani iu shkruan letër presidentes dhe kryeministrit

26.04.2021

Gjatë ditës së djeshm pak orë pas fitores ndaj Gjilanit, klubi futbollistik nga Suhareka njëherish edhe lider i Superligës, Ballkani iu është drejtuar me letër të hapur presidentes së Kosovës, Vjosa Osmanit, kryeministrit, Albin Kurti si dhe ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrullah Çeku. Në këtë letër Ballkani është ankuar dhe ka ngritur dyshime […]

Dyshimet për kurdisje të ndeshjeve në Superligë, Ballkani iu shkruan letër presidentes dhe kryeministrit Foto: Ilustrim

Gjatë ditës së djeshm pak orë pas fitores ndaj Gjilanit, klubi futbollistik nga Suhareka njëherish edhe lider i Superligës, Ballkani iu është drejtuar me letër të hapur presidentes së Kosovës, Vjosa Osmanit, kryeministrit, Albin Kurti si dhe ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrullah Çeku.

Në këtë letër Ballkani është ankuar dhe ka ngritur dyshime se po kurdisen ndeshjet në ligën elitare kosovare.

Humbja e djeshme e Dritës ndaj Prishtinës është bërë shkak i reagimit të Ballkanit dhe letrës së tij drejtuar liderëve të vendit.

Në letrën e postuar në Facebook, klubi nga Suhareka ngre pyetjen: “Si është e mundur që opinioni të dijë, e me javë para ndeshjes dinte si do të përfundonte ndeshja. Cili klub cilit klub tjetër po ia lëshon lojën, cili klub e lëshon kupën për kampionat, e cili klub e lëshon kampionatin për kupë etj.”

Ballkani e akuzoi edhe Federatën e Futbollit të Kosovës për gisht në kurdisje dhe iu bëri thirrje organeve të nisin hetime për ndeshjet e dyshuara për kurdisje.

Letra e plotë e Ballkanit e postuar në Facebook:

Letër e hapurPër:​​

Presidentën e Republikës së Kosovës​​
Kryeministrin e Republikës së Kosovës
​​Ministrin e Kulturës, Rinisë dhe Sportit
Cc:​​ Kushdo që është i interesuar
Tema: ​​Kampionati i Kosovës në Futboll – Superliga

Të nderuar/a,

Pa asnjë fije dyshimi konsiderojmë që secili qytetarë i Republikës së Kosovës është gëzuar me faktin që futbolli vendor u anëtarësua në FIFA dhe UEFA, duke shpresuar se përfundimisht futbolli i Kosovës po dilte nga mjerimi ku kishte mbetur si rezultat i okupimit.

Fatkeqësisht kjo shpresë rezultoi e dështuar për arsye se përveç problemeve të okupimit dhe të mos inkuadrimit në mekanizma ndërkombëtarë, tani jemi duke u ballafaquar me mos zhvillimin, pengimin apo thjesht shkatërrimin e futbollit në Kosovë, deshëm apo nuk deshëm ta pranojmë, fajtorë janë vet faktorët e futbollit kosovar.

Si është e mundur që për vite me radhë në futbollin e Kosovës, ose më saktë në përfundim të çdo sezoni të futbollit qoftë në garat e kampionit apo të kupës, opinioni më tepër merret me kalkulime matematikore sesa me futboll të vërtetë. A jemi ne duke luajtur futboll, apo jemi duke bërë “matematik“, sepse ne si klub jemi regjistruar në FFK për të luajtur futboll, e jo për të bërë “kalkulime”.

Si është e mundur që opinioni të dijë, e me javë para ndeshjes dinte si do të përfundonte ndeshja. Cili klub cilit klub tjetër po ia lëshon lojën, cili klub e lëshon kupën për kampionat, e cili klub e lëshon kampionatin për kupë etj.

Mjafton të hysh në faqet zyrtare të klubeve dhe këtë fenomen e vëren nga vet tifozët e klubeve gjegjëse, fatkeqësisht në krejt këtë maskaradë janë të përfshirë disa klube, disa mbetje politike dhe FFK, kjo e fundit në mënyrë mjeshtërore kryen punën e sajë duke vendosur cili klub do bëhet kampion, e cili do ta fitojë kupën, si dhe cili do mbetet pa asgjë.

Mjafton t’i shohim vetëm ndeshjet e muajit të fundit në kupë dhe të kampionatit që të arrijmë në përfundimin se futbolli në Kosovë ka degraduar në çdo aspekt.

Prandaj i lusim të lartshënuarit dhe mekanizmat ligjorë të fillojnë të merren më këtë çështje sa nuk është bërë vonë, kjo për hir të rinisë kosovare dhe investimeve të mëdha të cilat po i bëjnë investitorët me djersen e tyre.