Distria Krasniqi kualifikohet në finale të Botërorit të Xhudos!
14.06.2025
Xhudistja kosovare, Distria Krasniqi, ka shkruar histori sot në Kampionatin Botëror të xhudos që po mbahet në Budapest, Hungari, duke u kualifikuar për herë të parë në karrierën e saj në finalen e këtij kompeticioni prestigjioz.
Në ndeshjen gjysmëfinale, Distria shfaqi një performancë mbresëlënëse dhe bindëse, duke mposhtur spanjollen Ariane Toro Soler. Dominimi i Krasniqit ishte i dukshëm, pasi kundërshtarja e saj pësoi tri dënime, çka i siguroi asaj kalimin në finale.
Ky sukses shënon një arritje të jashtëzakonshme për xhudisten nga Peja dhe për sportin kosovar në përgjithësi. E gjithë Kosova tashmë pret me padurim finalen, me shpresën se Distria do të sjellë titullin e Botës.