Çlirim Gashi
10.04.2019, 22:06

CR7 do të “pensionohet” në stadiumin “Cristiano Ronaldo”

Te Sportingu (Sporting CP) nuk e harrojnë Cristiano Ronaldon.

Djaloshi i lindur në Madeira u rrit dhe u formua si futbollist në klubin e Lisbonës, duke lënë një trashëgimi aty, që do të zgjasë në kohë. Vetë ylli i futbollit botëror tashmë, pesë herë fitues i “Topit të Artë”, nuk e ka fshehur kurrë se do të donte ta përfundonte karrierën aty ku e nisi si profesionist. 

E pra, mund të jetë rastësi, që CR7 t’i “varë këpucët në gozhdë” në stadiumin “Cristiano Ronaldo”. Dhe ja përse. Sipas gazetës portugeze “O Jogo”, Sporting CP po e merr seriozisht në konsideratë riemërimin e stadiumit të vet, që aktualisht njihet si “José Alvalade”, transmeton Telesport.al

Synimi është për ta identifikuar objektin sportiv në fjalë me yllin aktual të Juventusit. “Arena CR7”, stadiumi “Cristiano Ronaldo”, ose “Alvalade CR7” janë emrat që drejtuesit e klubit po diskutojnë. Siç sqaron shtypi luzitan, dy arsye e shtyjnë Sporting CP për të menduar këtë ndryshim. 

E para është sentimentale, vjen si një falënderim për figurën e CR7. E dyta do të kishte lidhje me anën ekonomike, në aspektin e marketingut. Edhe pse ka 16 vite nga largimi i tij drejt Manchester United, Cristiano Ronaldo mbetet shumë i freskët në kujtesën e Sporting CP, të tifozëve e njerëzve të qytetit./TeleSport.al