Chelsea “shkatërron” Norwichin e Milot Rashicës, Mount realizoi het-trik

23.10.2021

Në kuadër të kësaj jave të ligës kryesore të Anglisë, Chelsea është përballur me Norwich City, klub ky që debuton lojtari kosovar, Milot Rashica. Chelsea në drejtim të trajnerit Thomas Tuchel ka arritur ta mposhtë Norwichin me rezultat të thellë 7-0. Se Chelsea dominoi gjatë tërë lojës, dëshmohet edhe me golin e shënuar në minutën […]

Chelsea “shkatërron” Norwichin e Milot Rashicës, Mount realizoi het-trik Foto: Ilustrim

Në kuadër të kësaj jave të ligës kryesore të Anglisë, Chelsea është përballur me Norwich City, klub ky që debuton lojtari kosovar, Milot Rashica.

Chelsea në drejtim të trajnerit Thomas Tuchel ka arritur ta mposhtë Norwichin me rezultat të thellë 7-0.

Se Chelsea dominoi gjatë tërë lojës, dëshmohet edhe me golin e shënuar në minutën e tetë, ku londinezët kaluan në epërsi falë golit të Mason Mount, gol ky që u asistua nga Jorginho.

Por nuk përfundoi me kaq, pas vetëm dhjetë minuta që kaluan nga goli i parë, Chelsea arriti ta realizojë edhe golin e dytë, kjo me anë të Callum Hudson-Odoit dhe me Kovacicin që ishte asistues i këtij goli.

Gjithashtu, golat nuk u ndaluan me kaq, tashmë radha ishte për Reece James, i cili shënoi për 3-0 në minutën e 42-të, e që ky gol u asistua nga Mount.

Ndonëse pritej që Norwichi të rikthehej në pjesën e dytë, por një gjë e tillë nuk ndodhi, pra edhe pjesa e dytë e ndeshjes i takoi Chelseat, ku arrit të shënojë edhe katër të tjerë.

Radhën për të shënuar golin e katërt e kishte Ben Chilwell, i cili në minutën e 57-të e arriti qëllimin e tij që të shënoj, ku përsëri Kovacici ishte asistues.

Por, kjo nuk ishte e tëra, situata për klubin e Rashicës u përkeqësuan edhe më tej, ku në minutën e 62-të, Maximillian James Aarons realizoi auto-gol.

Se situata u përkeqësua për Norwichin ishte ai momenti, kur mysafirët mbetën me 10 lojtarë në fushë, pasiqë Bryan Gibson e mori edhe kartonin e dytë të verdhë.

Ishte përsëri Chelsea, ajo e cila fitoi një penallti, për të cilën goditi Mount dhe arriti të gjejë portën në minutën e 85-të, e që për të ishte goli i dytë në këtë ndeshje.

Por, Mount si duket ishte “i mbushur” për të realizuar gola sa më shumë, dhe këtë ia arriti qëllimin kur edhe e realizoi golin e tretë apo het-trik për të, ku klubin e kaloi në epërsi me rezultat 7-0.

Edhe pas kësaj ndeshje të xhiros së nëntë, gjiganti londinez vazhdon të jetë lidere e tabelës së Premier Ligës me gjithsej 22 pikë.