Ëndrra për një eveniment të fuqishëm futbolli në mes të Kosovës dhe Shqipërisë mund të realizohet.

Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës Agim Ademi së bashku me presidentin e Federatës Shqiptare të Futbollit Armand Dukën po planifikojnë ta bëjnë një kupë të përbashkët e që fituesi i kësaj kupe do të garonte në Ligën e Evropës. Agim Ademi zbulon se ky eveniment do të njihej si kupa “Nëna Terezë”.

Kjo ide nuk do të shteret kurrë në Kosovë si dhe në Shqipëri me qëllim që të shkrihen kampionatet në një ligë të përbashkët.

Për këtë ide flitet tash e disa dekada, ku njohësit e futbollit vlerësojnë se do të bëhej një garë interesante dhe tejet fitimprurëse.

Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), Agim Ademi, së bashku me presidentin e Federatës Shqiptare të Futbollit (FShF) Armand Dukën po planifikojnë ta bëjnë një kupë të përbashkët e që fituesi i kësaj kupe do të garonte në Ligën e Evropës.

Në një intervistë për gazetën “Zëri” i pari i futbollit kosovar, Agim Ademi, e ka shpalosur idenë në fjalë.

Ademi ka thënë se kjo kupë do të njihet si kupa “Nëna Terezë”. “Kjo kupë do të jetë masive dhe do të zhvillohet gjatë tërë vitit. Mund të luhen ndeshjet në mesjavë të mërkurën ose të enjten kur nuk ka ndeshje kampionale” nis bisedën Agim Ademi për gazetën “Zëri”.

Po ashtu Ademi ka theksuar se në këtë projekt “gjigant” do të përfshihen të dyja qeveritë, ajo e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë.

“Projekti do të jetë i përbashkët edhe me qeveritë tona. Do të krijohet një fond i posaçëm nga të dyja qeveritë dhe nga federatat. Krahas shpërblimit që do ta marrë fituesi nga federatat, do ta ketë edhe një shpërblim shtesë nga qeveritë. Kjo kupë do të njihet si kupa ‘Nëna Terezë’”, theksoi Agim Ademi.

Po ashtu Ademi ka bërë të ditur se është bërë kërkesa në UEFA për një projekt të tillë.

Presidenti Agim Ademi ndër të tjera zbulon se tashmë është bërë kërkesa në UEFA për një projekt të tillë. “Ne e kemi dorëzuar në UEFA projektin dhe ende nuk kemi marrë përgjigje. Vitin tjetër do të mbajmë mbledhje për këtë çështje dhe do ta diskutojmë. Kjo çështje i takon më shumë presidentit Armand Duka, që është anëtar i Komitetit Ekzekutiv të UEFA. Në kuadër të kësaj i takon atij me kompetencë ta përcjellë këtë çështje. Duka është edhe përgjegjës i federatave të regjioneve si Kosovës, Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi dhe Serbisë”, pohoi Ademi.