Berisha i kundërpërgjigjet Limanit: Nuk ka kushte për futboll, titulli vjen në Suharekë

Kapiteni i Dritës, Ardian Limani ka deklaruar gjatë ditës së sotme se në rast të anulimit të kampionatit, mos të ketë fitues të titullit kampion, duke lënë të kuptohet se është kundër që skuadra lidere, Ballkani, të shpallet kampion i Kosovës për edicionin 2019/20.

Sipas tij, e gjitha kjo është e ‘udhës’ të bëhet si rezultat i renditjes tabelore, ku katër skuadra janë pothuajse afër me pikë.

“E kam thënë edhe me herët që nëse përfundon kampionati këtu, në garat evropiane duhet të kalojnë ekipet sipas renditjes aktuale, mirëpo nuk mendoj që duhet të jepet titull, pasi që gara ka qenë tepër e ngushtë dhe në garë janë 4 skuadra. Megjithatë, çfarëdo që vendosin ata, do ta respektojmë maksimalisht”, këto ishin fjalët e kapitenit të Dritës dhënë për infokus.

Kundërpërgjigje ndaj Limanit ka pasur kapiteni i Ballkanit, Visar Berisha.

Lideri i ‘Xhebrailave’ ka thënë për Gazeta ‘OLLE’ se në rast të anulimit të kampionatit, titulli kampion duhet t’i takon pikërisht skuadrës së tij.

“Së pari nuk ka kushte për zhvillim të mëtutjeshëm pasi që është në pyetje jeta e njeriut. Në rast të mbylljes së kampionatit, ne jemi kampion dhe automatikisht kupa niset për në Suharekë e ku do të festojmë me tifozët tanë të flaktë Xhebrailat. Ai (Ardian Limani) jep mendimin e tij personal i cili nuk përputhet me ligjet dhe kriteret e vendosura nga ISHKP. Kështu që sipas këtyre rrethanave i bie që Ballkani duhet të jetë kampion i Kosovës për këtë edicion”, tha Berisha.

Kujtojmë futbolli kosovar po vazhdon të jetë i pezulluar si shkak i pandemisë së koronavirusit që nga 13 marsi.

Ky pezullim mund të zgjatë edhe disa javë, por FFK po shpreson që stërvitjet të nisin me 10 maj, gjë që pritet të jetë e pamundur.

E gjitha kjo pasi mungon një vendim i IKSHP-së, në mënyrë që të fitohet leja e zhvillimit të përgatitjeve në terrenet sportive.

Kurse, gjatë kësaj kohe mjaft shumë po diskutohet edhe anulimi i tërësishëm i kampionatit, i cili po vazhdon të jetë ende një enigmë.

© SuharekaOnline. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.