Benatia zbulon kush e kërkon dhe çfarë do vetë ylli i Juventusit

Medhi Benatia foli për “Tuttosport”. Objekti kryesor i bisedës së tij, pasi të dy janë miq të shkëlqyeshëm, ishte Miralem Pjanic.

Ish-mbrojtësi i Juventusit, i cili ende dëgjohet rregullisht me shumë ish-shokë të skuadrës, e ka përshkruar situatën e Pjanic përgjithësisht si të gjithë skuadrës nën drejtimin e Maurizio Sarri:

“Para Interit, ai ndjeu se nuk ishte në më të mirën e tij, por a duam të shohim se sa ndeshje ka luajtur? Ai është ndër lojtarët më me ndikim te bardhezinjtë, kurrë nuk kthehet mbrapa. Pjanic, gjithashtu, është përshtatur me një modul të ri taktik, duke pasur parasysh që me Sarrin, Juventusi luan shpesh me mesfushor-sulmues pas dy sulmuesve.

Dhe ai duhej të vraponte shumë, si Matuidi. Ata të dy më rrëfyen se ishin vërtet të lodhur. Pra është e vështirë për të gjithë: më pak posedim të topit dhe më shumë vrapim. Dhe në fund ai u dëmtua. E kuptoj që Sarri dëshiron prej Pjanic që ta luajë topin më shumë, por ai duhet të jetë i shëndetshëm fizikisht që të kthehet edhe mbas. Miraliem është gjithmonë në gjendje të gjejë një zgjidhje, kur ka presion nga kundërshtarët. Ai ka më shumë cilësi se të tjerët.

Bentancur ka një të ardhme të ndritshme përpara dhe do të bëhet një nga më të fuqishmit, por për momentin është ende një hap larg. Pjanic bën autokritikë. Unë e telefonova pas një loje dhe e komplimentova. Ai ishte nervoz dhe më tha se kishte luajtur keq, sepse kishte humbur dy topa të rrezikshëm. Kjo ndalesë e kampionatit do t’i bëjë mirë atij, për t’u rikthyer më i forti në Itali dhe ndër më të mirët në botë”.

Pas lëvdatave, Benatia zbulon disa prapaskena të merkatos. Boshnjaku dëshiron të qëndrojë te Juventusi, megjithë tundimet: “Ai ka ende tri vite kontratë dhe te Juve është duke bërë mirë. Është e vërtetë që në merkato ai ka mundësinë të largohet. PSG interesohet për të, madje edhe Reali e kërkonte, por, në fund të fundit, ai ka rinovuar me klubin bardh e zi. Dashuria e tij për Juventusin mbizotëroi para gjithçkaje. Aty ndjen vetëbesim, në dhomën e zhveshjes është një nga senatorët, e di se si ta bëjë veten të dëgjohet dhe respektohet. Pastaj, ne e dimë, situatat mund të ndryshojnë, klubi mund të vendosë ta shesë atë. Por, nëse varet nga lojtari, ai qëndron në Torino. Me Juve ndryshoi mentalitetin e tij: tani luan për të fituar, gjithmonë”.

RAPORTO