Belgjika eliminon Senegalin pas një drame 120-minutëshe, siguron kalimin në 1/8 e finales
Belgjika ka siguruar një vend në 1/8 e finales të Kupës së Botës, pasi mposhti Senegalin me rezultat 3:2 pas vazhdimeve, në një nga ndeshjet më dramatike të turneut.
Foto: Ilustrim
Ndeshja ishte e luftuar nga fillimi deri në fund, me të dyja skuadrat që krijuan raste dhe nuk u dorëzuan asnjëherë. Koha e rregullt nuk prodhoi fitues, ndërsa në vazhdime Belgjika arriti të shënonte golin vendimtar që i siguroi kalimin në fazën tjetër të garës.
Senegali pati një mundësi të fundit për të barazuar dhe për ta çuar ndeshjen në penallti, pasi fitoi një goditje dënimi në kufirin e zonës pas një prekjeje me dorë nga Nicolas Raskin.
Megjithatë, goditja e Pape Matar Sarr përfundoi mbi portë, duke shuar shpresat e afrikanëve.
Pas vërshëllimës përfundimtare të arbitrit, festa shpërtheu te futbollistët belgë, të cilët siguruan një kualifikim dramatik në mesin e 16 skuadrave më të mira të turneut. Nga ana tjetër, Senegali largohet nga Botërori me kokën lart, pas një paraqitjeje dinjitoze dhe një rezistence të fortë ndaj Belgjikës.
