Ballkani synon të krijojë kapital në ndeshjen e parë ndaj kampionit të Ishujve Faroe

04.08.2022

Skuadra kosovare do ta zhvillojë duelin e parë të rrethit të tretë kualifikues së Conference Leagues. Kampioni i Kosovës do ta presë në stadiumin “Fadil Vokrri” kampionin e Ishujve Faroe, Klaksvik. Therandasit synojnë të krijojnë kapital të bollshëm në lojën e parë në shtëpi para takimit të kthimit, i cili do të zhvillohet pas një […]

Ballkani synon të krijojë kapital në ndeshjen e parë ndaj kampionit të Ishujve Faroe Foto: Ilustrim

Skuadra kosovare do ta zhvillojë duelin e parë të rrethit të tretë kualifikues së Conference Leagues.

Kampioni i Kosovës do ta presë në stadiumin “Fadil Vokrri” kampionin e Ishujve Faroe, Klaksvik.

Therandasit synojnë të krijojnë kapital të bollshëm në lojën e parë në shtëpi para takimit të kthimit, i cili do të zhvillohet pas një jave në Ishujt Faroe.

Trajneri Ilir Daja e ka përgatitur ekipin për sfidën e radhës, pas suksesit të jashtëzakonshëm të arritur deri tash në daljen e parë në Evropë për këtë ekip.

Trajneri shqiptar ka kërkuar nga lojtarët që të jenë të përqendruar dhe ta respektojnë në maksimum kundërshtarin, raporton GazetaExpress.

“Në rundin e tretë nuk ka ndeshje të lehta, sepse ekipet apo ekipi që e kemi përballë është i disiplinuar. Mendoj se duhet të jemi të përqendruar dhe ekuilibruar, pasi gjithçka mund të vendoset nga detajet, ashtu siç na ndodhi me Zhalgirisin. Duhet të jemi cinikë, të shfrytëzojmë rastet dhe të arrijmë rezultat pozitiv”, deklaroi fillimisht trajneri Daja.

“Duhet të jemi të kujdesshëm dhe nuk mund të them se jemi ne apo kundërshtari favorit. Ekipi që do të ketë përqendrim maksimal, do të shkojë drejt objektivit. Shpresojmë të kemi fatin dhe të marrim fitore”, vazhdoi ai.

“Jam krenar për atë që kanë arritur futbollistët dhe presioni nuk është fare i pranishëm tek ata, pasi këtë e kanë treguar që nga ndeshja e parë evropiane. Shpresoj që edhe në këtë ndeshje të futen me të njëjtën energji. Nuk do t’i tregoj pikat e dobëta, por Klaksviku ka pika të forta për shkak se luan mirë si në fazën e sulmit, ashtu edhe mbrojtjes”, përfundoi trajneri i Ballkanit.

Skuadra nga Suhareka nuk ka ndonjë mungesë të theksuar dhe do të tentojë të fitojë sonte përpara publikut të tij, në ndeshjen që do të fillojë në orën 20:00, shkruan “Gazeta Express”.

Ekipi që shkon tutje do të përballet me humbësin e duelit të rrethit të tretë kualifikues të Europa Leagues ndërmjet Shkupit dhe Shamrockut.