Ballkani e Prishtina fitojnë, Drita merr vetëm një pikë ndaj Besës

28.04.2021

Sot janë zhvilluar katër ndeshje në kuadër të javës së 31-të në Superligë. Skuadra lidere, Ballkani ka shënuar fitore të rëndësishme në shtëpi në duel me Llapin, me rezultat 1:0. Golin e fitores për portokallezinjtë nga Suhareka e shënoi Blend Baftiu, në minutën e 33-të. Me këtë fitore dhe në saje të barazimit të Dritës, […]

Ballkani e Prishtina fitojnë, Drita merr vetëm një pikë ndaj Besës Foto: Ilustrim

Sot janë zhvilluar katër ndeshje në kuadër të javës së 31-të në Superligë.

Skuadra lidere, Ballkani ka shënuar fitore të rëndësishme në shtëpi në duel me Llapin, me rezultat 1:0.

Golin e fitores për portokallezinjtë nga Suhareka e shënoi Blend Baftiu, në minutën e 33-të.

Me këtë fitore dhe në saje të barazimit të Dritës, tashmë Ballkani kryeson i vetëm renditjen me 67 pikë, i ndjekur nga Prishtina me 66 pikë, teksa Drita tashmë renditet e treta me 65 pikë.

Kjo e fundit nuk arriti të marrë më shumë se një pikë si mysafire në duel me skuadrën e fundit në renditje, Besën.

Ndeshja e zhvilluar në Brestovik u mbyll me rezultat 1:1.

Besa kaloi në epërsi me golin e Ardit Tahirit në minutën e 19-të, ndërsa Betim Haxhimusa i barazoi shifrat në minutën e 62-të.

Fitore të lehtë ka realizuar Prishtina në duel me Trepçën’89 në stadiumin “Fadil Vokrri”, me rezultat 3:1.

Dy gola i realizoi Leutrim Kryeziu (67’, 76’), derisa me një gol kontribuoi Endrit Krasniqi (49’), teksa golin e vetëm për ekipin nga Mitrovica e realizoi Arbnor Muja në minutën e 69-të.

Me këtë fitore Prishtina i rrit gjasat për titull të kampionit, derisa Trepça ’89 tashmë renditet e teta, me 35 pikë, pozitë kjo që dërgon në barazh.

Ndërkaq, ndeshja e fundit e kësaj jave ishte ajo ndërmjet Gjilanit dhe Drenicës, e cila u mbyll baras 0:0.