Allegri e cilëson futbollin sport idiot

Trajneri i Juventusit, Massimiliano Allegri, beson se futbolli është një sport idiot për njerëzit inteligjentë, ndërsa diskutoi mbi taktikat dhe ripohoi dëshirën e tij për të vazhduar në Torino, pas eliminimit nga Liga e Kampionëve.

Allegri i drejtoi bardhezinjtë në fitimin e titullit të pestë radhazi me të në stol, që kur zëvendësoi Antonio Conte.

Ai është kritikuar, madje taktikat e tij janë vënë në pikëpyetje gjatë gjithë sezonit, sidomos pasi Juventusi u eliminua nga Ajaxi në çerekfinale të Championsit.

Duke diskutuar në programin “Che Tempo Che Fa” të “Rai”, Allegri tha:

“Tërë këto sisteme taktike, që përflasin njerëzit nëpër studio televizive, 3-5-2, 4-3-3 etj. Të gjithë japin mend nga tavolina, por praktika dhe fusha është tjetër gjë. Kam mësuar se futbolli është një sport idiot për njerëz inteligjentë, sepse gjërat më të thjeshta janë me të vërteta edhe më të vështirat për t’u bërë drejt e saktë.

Për shembull, ju i kërkoni një futbollisti të bëjë një pasim anësor, në krah, por nuk është e thjeshtë. Sa më shumë të zbresësh në nivel, aq më shumë futbollistët mendojnë ta kontrollojnë topin, duke dashur të tregojnë se sa shumë janë të talentuar Sidoqoftë, nuk është ky futbolli”.

Allegri, i cili nuk ka ndërmend të largohet nga drejtimi i gjigantëve italianë, mbrojti me pasion taktikat e tij. “Në Itali, të gjithë janë bërë teoricienë futbolli dhe ky është një problem i vërtetë. Ju mund të lexoni libra për futbollin, por nuk e njihni realisht këtë sport në praktikë”, shtoi Allegri.

Ndërkohë, të shtunën, pas barazimit me Interin, ai iu kthye ashpër Adanit, ish futbollistit zikaltër, tashmë në rolin e analistit sportiv televiziv: “Tani, mbylleni, sepse po flas unë. Ju nuk dini asgjë për futbollin. Ju rrini ulur prapa tavolinës, lexoni ndonjë libër futbolli, por nuk dini asgjë për praktikën e këtij sporti. Kam fituar gjashtë tituj”.

© SuharekaOnline. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.