6 vjet nga anëtarësimi i Kosovës në UEFA

03.05.2022

28 vota të delegatëve në Kongresin e UEFA-s në Budapest ishin pro anëtarësimit të FFK-së, 24 kundër dhe 2 abstenime dhe kësisoj Kosova u bë anëtarja e 55-të e kësaj organizate. E tani 6 vite pas asaj dite të rëndësishme Federata e Futbollit e Kosovës vazhdon të bëjë hapa të mëdhenj përpara, duke iu falënderuar […]

6 vjet nga anëtarësimi i Kosovës në UEFA Foto: Ilustrim

28 vota të delegatëve në Kongresin e UEFA-s në Budapest ishin pro anëtarësimit të FFK-së, 24 kundër dhe 2 abstenime dhe kësisoj Kosova u bë anëtarja e 55-të e kësaj organizate.

E tani 6 vite pas asaj dite të rëndësishme Federata e Futbollit e Kosovës vazhdon të bëjë hapa të mëdhenj përpara, duke iu falënderuar projekteve të përbashkëta me UEFA-n.

Në këtë ditë të shënuar presidenti Agim Ademi nëpërmjet një mesazhi e ka vlerësuar kontributin e të gjithë atyre që dhanë djersë dhe mjete për ta mbajtur gjallë rrugëtimin e futbollit kosovar deri në finalizimin e ndërkombëtarizimit.

Mesazhi i presidentit Ademi:

Sa herë vjen 3 maji me të drejtë përfshihemi nga emocionet dhe nuk ka se si të ndodhë ndryshe. Kjo datë për shtetin tonë, e sidomos për komunitetin e futbollit është e një rëndësie të veçantë.

Si sot, 6 vjet më parë, për Kosovën ishte një ditë feste me përplot emocione. Federata e Futbollit e Kosovës në Kongresin e mbajtur në Budapest arriti ta thyejë izolimin e padrejtë 25-vjeçar, duke u bërë anëtare me të drejta të plota e UEFA-s. Kësisoj, u përmbush ëndrra e kahmotshme dhe u shpërblye sakrifica e shumë gjeneratave të futbollistëve të Kosovës.

Nga ajo ditë futbollit të Kosovës iu hapën dyert e prezantimit në garat ndërkombëtare dhe filloi epoka e zhvillimit.

Sot, gjashtë vite më vonë, futbolli ynë ka shënuar përparime të dukshme dhe vazhdon pakthyshëm rrugëtimin e tij drejt sukseseve të reja, përmirësimit të infrastrukturës, masovizimit, edukimit të kuadrove të reja, reformave të garave dhe rritjes së cilësisë.

Në këtë ditë të veçantë, dua t’u shpreh mirënjohje dhe falënderim të gjithë atyre që kontribuuan në pavarësimin dhe rrugëtimin e futbollit kosovar që nga viti 1991, e që numri i tyre është jashtëzakonisht i madh; donatorëve të klubeve, familjeve që dhuruan tokat e tyre për t’i shndërruar në fusha futbolli, futbollistëve, trajnerëve, gjyqtarëve e punëtorëve sportivë të cilët përkundër represionit e maltretimeve rezistuan dhe e ruajtën lojën më të bukur në botë për ta mundësuar rrugëtimin drejt anëtarësimit në UEFA.

Mirënjohje e veçantë ish-prijësve të FFK-së, Agim Bytyqi, Rexhep Abdullahu, Sabri Hashani, Fadil Vokrri si dhe të gjithë bashkëpunëtorëve të tyre për punën e vazhdueshme deri në jetësimin e objektivit të shumë gjeneratave.

Urime e na priftë e mbara!

BASHKË PËR FUTBOLLIN!

Me respekt,
Agim Ademi, president i FFK-së