Slloveni, qeveria miraton projektligjin për “ndihmën dimërore” dhe ndryshimet në tatime

30.10.2025

Qeveria e Sllovenisë ka miratuar tekstin e projektligjit që parashikon pagesën e të ashtuquajturës “ndihmë dimërore” dhe rishikimin e bazës tatimore duke marrë parasysh shpenzimet e standardizuara.

Projektligji, i cili pritet të kalojë në Asamblenë Kombëtare, sjell një të drejtë të re ligjore për punëtorët: kompensimin financiar për pushimet dimërore, transmeton mediumi Urgjent.

Sipas qeverisë, kjo masë do të ndihmojë në rritjen e motivimit, kënaqësisë dhe tërheqjes së formave standarde të punësimit. Shuma e ndihmës është e përcaktuar në gjysmën e pagës minimale dhe duhet të paguhet jo më vonë se 18 ditë pas afatit të pagës së nëntorit.

Në raste specifike të vështirësive financiare, punëdhënësit mund të shtyjnë pagesën deri më 31 mars të vitit pasardhës, por kjo nuk vlen për sektorin publik.

Projektligji parashikon që kjo pagesë të mos tatohetdhe të përjashtohet nga kontributet e sigurimeve shoqërore, njësoj si për bonuset që jepen sipas performancës së biznesit. Për vitin 2025 parashikohen përjashtime fleksibile të pagesës, për të ndihmuar kompanitë që përballen me mungesë likuiditeti.

Ndihmë dimërore edhe për pensionistët

Projektligji përfshin edhe pagesën e një ndihme dimërore për të gjithë pensionistët dhe përfituesit e sigurimit të paaftësisë që marrin ndihmë vjetore. Shuma e përcaktuar është 150 euro dhe do të paguhet deri më 19 dhjetor 2025, ose bashkë me pagesën e rregullt të pensionit në maj të vitit pasardhës.

Pagesa do të bëhet në masë proporcionale për pensionistët që marrin pension të pjesshëm ose për ata që kanë filluar ose ndalur të drejtën brenda vitit. Ndihma nuk do të llogaritet si të ardhur gjatë vlerësimit të të drejtave nga fondet publike.

Ndryshime në tatim për bizneset me shpenzime të standardizuara

Qeveria propozon ndryshime edhe në mënyrën e llogaritjes së bazës tatimore për personat dhe ndërmarrjet që përdorin sistemin e shpenzimeve të standardizuara. Ndryshimet kryesore janë:

  • Rritja e pragut të hyrjes në sistem në 120,000 € për punonjësit me kohë të plotë.
  • Rritja e pragut për punonjësit me kohë të pjesshme në 50,000 €.
  • Kalimi nga një normë e vetme tatimore në tatim progresiv prej 20% dhe 35%, në varësi të të ardhurave.
  • Marrja parasysh e të ardhurave të vitit të parë në vlerësimin tatimor.
  • Vendosja e një periudhe pesëvjeçare për rihyrjen në sistem pas daljes.

Sipas qeverisë, këto ndryshime synojnë të korrigjojnë abuzimet dhe efektet demotivuuese të ligjit aktual.

Ndërkohë, punëdhënësit kanë shprehur pakënaqësi, duke akuzuar qeverinë për mungesë konsultimi dhe paralajmërojnë tërheqje nga dialogu social madje edhe forma të mosbindjes civile. Sindikatat, nga ana tjetër, e kanë përshëndetur vendimin.