Ambasada e Kosovës në Slloveni u bën thirrje qytetarëve: Lajmërohuni nëse ju janë vjedhur targat e veturave

16.11.2025

Ambasada e Republikës së Kosovës në Lubjanë ka njoftuar të gjithë shtetasit e Kosovës, të cilëve mbrëmë u janë vjedhur targat e automjeteve, që të kontaktojnë për këshilla dhe asistencë lidhur me kthimin në Kosovë.

Ky reagim ka ardhur pas raportimeve se dhjetëra kosovarëve u janë hequr ose vjedhur targat e makinave pas ndeshjes Slloveni–Kosovë.

Ambasada u ka bërë thirrje qytetarëve që rastet t’i paraqesin fillimisht në Policinë e Republikës së Sllovenisë, dhe më pas të kontaktojnë linjën emergjente të Ambasadës për udhëzime shtesë.

“Nënkuptohet, rastet duhet të paraqiten fillimisht në Policinë e Republikës së Sllovenisë.
Për informata shtesë ju lutemi kontaktoni linjën emergjente të Ambasadës në numrin: +386 31 465 221”
, thuhet në njoftim.

Ndërkohë, mbrëmë Kosova shënoi fitore historike në Slloveni, duke triumfuar me rezultat 0:2 dhe duke siguruar play-off-in e Botërorit.

Ambasada mbetet në dispozicion për të gjithë qytetarët e prekur nga ky incident.