Me hapjen e këtij grupi, i cili përfshin tetë kapituj individualë, Shqipëria ka tejkaluar Serbinë dhe tani mban vendin e dytë në listën e shteteve më të avancuara në procesin e integrimit evropian, menjëherë pas Malit të Zi.

Ky progres i shpejtë e dallueshëm e Shqipërisë është i dukshëm, veçanërisht duke marrë parasysh se vetëm në tetor të vitit të kaluar vendi nisi hapjen e grup-kapitujve. Që atëherë, Shqipëria ka avancuar më shpejt se çdo shtet tjetër i rajonit në këtë fazë të procesit.

Nëse ky ritëm vijon, pritet që vitin e ardhshëm Shqipëria të kalojë në fazën e mbylljes së kapitujve, duke pasur potencialin teorikisht të tejkalojë edhe Malin e Zi. Mbyllja e kapitujve kërkon reforma të thella dhe rrënjësore, të cilat janë thelbësore për përmbylljen e suksesshme të negociatave.

Gjatë vizitës së tij të fundit në Tiranë, presidenti francez Emmanuel Macron deklaroi se përmbyllja e procesit të anëtarësimit të Shqipërisë është e mundur deri në fund të vitit 2027. Nëse nuk do të ketë pengesa në zbatimin e reformave të nevojshme, Shqipëria mund të synojë anëtarësimin e plotë në Bashkimin Evropian para përfundimit të kësaj dekade.

Këtë parashikim e ka ndarë edhe komisionerja evropiane për zgjerim, Marta Kos, e cila i ka identifikuar Malin e Zi dhe Shqipërinë si dy vendet lidere në procesin e anëtarësimit, të gatshme për të përmbyllur negociatat deri në fund të vitit 2027.