Si ndikon ndryshimi i motit në shëndet

05.08.2020

Kohët e fundit moti është shfaqur shumë kapriçioz, me ndryshime të shpeshta të kushteve atmosferike dhe temperature që luhaten shumë brenda intervalesh të shkurtra kohore. Kushtet në hapësirën përreth nesh janë vazhdimisht në ndryshim dhe kjo nuk na ndikon vetëm stilin e jetës, por edhe shëndetin. . Dihet që lagështia ka ndikimin e saj në […]

Si ndikon ndryshimi i motit në shëndet Foto: Ilustrim

Kohët e fundit moti është shfaqur shumë kapriçioz, me ndryshime të shpeshta të kushteve atmosferike dhe temperature që luhaten shumë brenda intervalesh të shkurtra kohore.

Kushtet në hapësirën përreth nesh janë vazhdimisht në ndryshim dhe kjo nuk na ndikon vetëm stilin e jetës, por edhe shëndetin. . Dihet që lagështia ka ndikimin e saj në sëmundjet reumatizmale, po ashtu edhe në acarimin e astmës.

Por ka dhe persona të cilët kanë mbindjeshmëri të lartë sa u takon ndryshimeve të shpeshta të motit. Është i njohur fakti se kalimi nga një sezon në tjetrin ka një ndikim të madh në shëndetin e njerëzve. Por, disa e përjetojnë më shumë duke shfaqur në të tilla periudha dhimbje në pjesë të ndryshme të trupit dhe organe si dhe çrregullime në sistemin nervor.

Ky fenomen quhet meteopati. Njerëzit që janë të prirur nga kjo lloj ndjeshmërie, zakonisht 24 deri 48 orë përpara se moti të ndryshojë, shfaqin ndryshime të gjendjes së humorit, kanë dhimbje koke dhe gjymtyrësh. Mundësitë e zhvillimit të meteopatisë janë thuajse 70% më të mëdha tek të sëmurët kronikë me zemër, astmë, reumatizëm dhe alergjikët.

Përveç kronikëve, janë edhe fëmijët ata që kanë mbindjeshmëri të lartë ndaj ndryshimeve të motit, pasi sistemi i tyre nervor është ende i papërgatitur për t’iu përgjigjur në mënyrë adekuate stimujve të jashtëm. Ulja e presionit amosferik ndikon në presionin e lartë të gjakut, thonë mjekët, ndërsa në ditët kur presioni në atmosferë rritet, humori jonë përmirësohet pasi edhe kushtet për një shëndet më të mirë janë më të favorshme.
 
Por që njerëzit të mësohen me këto ndryshime kapriçioze që na bën moti dhe veçanërisht në kufijtë e ndërrimit të stinëve, mjekët këshillojnë sa më pak stimulues, kafe apo edhe çaj. Duhet të qëndrojmë në vende me sa më shumë dritë. Rekomandohen sportet e ndryshme, ecja, noti dhe palestra.

Ndikimi i motit në humor

Aspektet e ndryshme të motit: temperaturat e larta, retë, era apo shiu, ndikojnë edhe në emocionet e cilësinë e jetës së njerëzve.

Gjendja emocionale ndikon edhe në vendimmarrjen tonë apo mënyrën se si mendojmë. Temperatura dhe lagështia luajnë një rol të madh në gjendjen shpirtërore të një personi. Zakonisht njerëzit ndihen më pak të shqetësuar nga temperaturat e larta, ndërkohë që një përqindje e lartë e lagështirës mund të bëjë që një person të ndihet i lodhur apo të ketë mungesë përqendrimi.

Përmes ekspozimit në diell ne mund të marrim vitaminën D që është një element i rëndësishëm i dietave të shëndetit si dhe mënyrës së jetesës. Njerëzit që nuk ekspozohen mjaftueshëm në diell mund të përjetojnë depresion, ndërsa ata që ekspozohen mjaftueshëm, mund të ndihen më të lumtur.

Shiu e bën gjithçka më të vështirë. Ai mund të krijojë situata të pafavorshme për një humor të mirë.