Miratohet projektligji për themelimin e Agjencisë për Inspektoratin Qendror të Shëndetësisë

18.12.2024

Në mbledhjen e 238-të të Qeverisë së Kosovës, të mbajtur më 18 dhjetor 2024, u miratua Projektligji për Inspektoratin Qendror të Shëndetësisë.

Ky ligj synon përmirësimin e cilësisë dhe qasjes në shërbimet shëndetësore, si dhe riorganizimin e sektorit shëndetësor përmes fuqizimit të kapaciteteve inspektuese.

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, deklaroi se ky projektligj shënon një moment të rëndësishëm për sektorin shëndetësor në vend.

“Me këtë projektligj do të themelohet Agjencia për Inspektoratin Qendror të Shëndetësisë, e cila paraqet zgjidhje të qartë, gjithëpërfshirëse dhe afatgjate të problemeve, duke adresuar shqetësimet e të gjitha inspektorateve në fushën shëndetësore në mënyrë të standardizuar dhe duke vendosur përgjegjësitë mes politikëbërësve, mbikëqyrësve të zbatimit të ligjeve dhe publikut.”

Sipas ministrit Vitia, projektligji ka për qëllim të forcojë mbikëqyrjen dhe të sigurojë standardet më të larta të kujdesit shëndetësor në të gjitha institucionet shëndetësore të Republikës së Kosovës. Përfitimet kryesore të këtij projektligji përfshijnë:

  • Rritjen e cilësisë së mbikëqyrjes përmes inspektimeve të standardizuara.
  • Trajnimin dhe certifikimin e inspektorëve shëndetësorë për të siguruar profesionalizëm më të madh.
  • Reduktimin e korrupsionit dhe shpërdorimit të burimeve, falë një kontrolli më të mirë të sistemit të inspektimeve.
  • Uljen e kostove për bizneset dhe përmirësimin e mjedisit afarist në vend.

Ky projektligj konsiderohet një hap thelbësor në reformimin e inspektimeve në sektorin shëndetësor, duke siguruar transparencë dhe përgjegjshmëri më të lartë në ofrimin e shërbimeve shëndetësore për qytetarët e Kosovës.