Kërkohet ligj që përcakton standardet e vlerave ushqyese

10.03.2024

Është parë si nevojë urgjente hartimi i një ligji i cili mbikëqyr vlerat e miellit dhe bukës që shiten në Kosovë.

Kërkohet ligj që përcakton standardet e vlerave ushqyese Foto: Ilustrim

Kështu ka deklaruar deputetja e Vetëvendosjes, Fitore Pacolli, e cila tha se sipas disa të gjeturave, buka në vendin tonë nuk përmban vlerat e duhura. Nutricionistët konsiderojnë se acidi folik në bukë, parandalon shumë sëmundje. Ndërsa nga Agjencia e Ushqimit thonë se vendet e BE-së nuk e kanë të obligueshme ta pasurojnë miellin me këto vitamina.

Në Kosovë duhet të hartohet një ligj i cili përcakton standardet se çfarë vlera ushqyese duhet të përmbajë mielli e buka. Deputetja e Vetëvendosjes, Fitore Pacolli, e cila është kryesuese në Komisionin për Mjedis, Ushqim, Bujqësi, Planifikim dhe Zhvillim, i tha Radio Kosovës se buka e cila shitet në territorin e Kosovës, në shumicën e rasteve nuk përmban vlerat e nevojshme ushqyese, siç janë acidi folik dhe vitamina të tjera të nevojshme.

 “Deri në vitin 2017 këto shtesa me vitamina për miell, u janë ofruar falas të gjithë prodhuesve të millit nga UNICEF-i, tani më këto shtesa nuk ofrohen falas dhe prodhuesi detyrohet ta pasurojnë miellin në përputhje me ligjin. Nga ajo çfarë kemi gjetur edhe në kohën kur këto shtesa janë dhënë falas edhe tani kur prodhuesit obligohen që t’i blejnë këto shtesa, nuk kemi të dhëna që garantojnë që mielli është pasuruar sipas ligjit në fuqi. Kjo do të thotë se ne hamë bukë e cila nuk përmban vlerat e nevojshme ushqyese”, tha ajo.

 Pacolli tha se është urgjente të hartohet ligji që do ta rregullojë këtë problematikë e cila ka ndikim të madh në shëndet.

“Nga ajo çfarë kemi gjetur është se ne e kemi parë të domosdoshëm dhe është tepër urgjent që të hartojmë një ligj të ri i cili përcakton standardet se çfarë vlera ushqyese duhet të përmbajë mielli, çfarë procese duhet të kalojë mielli dhe të vendosim për bukën, në mënyrë që qytetarët tanë të blejnë bukë me vlera ushqyese. Sepse në momentin kur keq ushqehemi, rezultojnë me probleme shëndetësor”, tha Pacolli.

E nutricionistja shqiptare, Diola Dosti, tha se mospasurimi i miellit me acid folik e vitamina të tjera, shkakton një sërë problemesh shëndetësore.

 “Mielli, buka, pastat normalisht duhet të jenë të pasuruara me acid folik. Mungesa e folateve mund të shkaktojë një lloj të anemisë, por nuk është vetëm kaq, ajo mund të shkaktojë infertilitet, disa lloje të kancerit siç është leukemia, prek sistemin nervor e të tjera. Ndërsa gratë që janë shtatzënë disa probleme që mund t’i shoqërojnë ato në mungesë të folateve janë: lodhja, dhimbjet, ulcerat e disa të tjera”, tha ajo.

Nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë, Lamir Thaçi, përmes një përgjigjeje me shkrim ka thënë se Shërbimit Fitosanitar Kufitar, obligohet të mbikëqyrë zbatimin e Ligjit për Pasurimin e Miellit me Fero Sulfat dhe Acid Folik. Në këtë përgjigje thuhet se “Në aspektin e implementimit të bazës ligjore për sa u përket standardeve të pasurimit, ne si agjenci ekzekutive kjo na shkakton vështirësi duke pasur parasysh importin e këtij produkti nga vendet  e rajonit e më gjerë e që në këto vende kërkesa për miell të pasuruar nuk është e obligueshme”.