💊 Ja pse nuk duhet përdorur paracetamoli gjatë shtatëzanisë

Përdorimi i paracetamolit gjatë shtatzënisë rrit shanset që fëmija të vuajë nga autizmi apo çrregullime të tipit ADHD. Djemtë, nënat e të cilëve përdorin këtë lehtësues dhimbjesh, kanë më shumë gjasa që të vuajnë nga autizmi. Po ashtu, të dyja gjinitë janë të rrezikuara të vuajnë nga çrregullime të tipit ADHD.

Zyrtarët e shëndetësisë thonë se paracetamoli duhet të merret vetëm nëse është e nevojshme gjatë shtatzënisë dhe për një periudhë sa më të shkurtër.

Studimi më i fundit i kryer nga hulumtuesit shkencorë spanjollë sugjeron se fëmijët janë të ekspozuar gjithmonë ndaj medikamenteve të zakonshme, por, kur janë në mitër, ata janë më të rrezikuar që të shfaqin shenja të çrregullimeve mendore.

Ky është studimi i parë i këtij lloji, i cili tregon se ka lidhje mes përdorimit të këtij ilaçi gjatë shtatzënisë dhe simptomave të autizmit tek fëmija.

Shkencëtarët thonë se është gjithashtu studimi i parë që tregon se efektet janë të ndryshme tek djemtë dhe vajzat.

Në studim u përfshinë më shumë se 2500 nënë-fëmijë. Nga këta, 88% u monitoruan kur fëmija ishte 1 vjeç, ndërsa 79.9% u monitoruan kur fëmijët ishin pesë vjeç.

Më pas u pyetën nënat për përdorimin e paracetamolit gjatë shtatzënisë (frekuenca e përdorimit u klasifikua si: kurrë, ndonjëherë, vazhdimisht).

Ata zbuluan se nënat e 43% të fëmijëve të moshës 1 vjeç dhe 41% të moshës 5 vjeç kishin përdorur paracetamolin të paktën njëherë gjatë 32 javëve të para të shtatzënisë.

Fëmijët e moshës 5 vjeç, nënat e të cilëve kishin përdorur paracetamol gjatë shtatzënisë, ishin më të rrezikuar që të shfaqnin simptoma të hiperaktivitetit ose impulsivitetit.

Edhe studime të mëparshme kanë bërë lidhjen mes paracetamolit të përdorur nga nënat shtatzëna dhe sëmundjeve të ndryshme tek fëmijët. Përmendim këtu një studim të bërë në fillim të këtij viti nga Universiteti i Bristolit, në Britani, i cili tregon se nënat që pinë paracetamol gjatë shtatzënisë mund të rrisin rrezikun që fëmija e tyre të vuajë nga astma.

© SuharekaOnline. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.