IKSHPK jep këshilla për mbrojtje nga temperaturat e larta

17.06.2024

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës ka dalë me këshilla për mbrojtje nga temperaturat e larta.

IKSHPK jep këshilla për mbrojtje nga temperaturat e larta Foto: Ilustrim

Një ndër këshillat e IKSHPK-së i drejtohet personave të moshuar, ku thuhet se assesi nuk duhet t’i ekspozohen temperaturave të larta mbi 30 gradë Celsius. 

“Personat e moshuar assesi nuk duhet të ekspozohen në rrezet e diellit në intervalin kohor prej orës 10.00-17.00, sidomos jo të moshuarit me sëmundje të zemrës ose ata me diabet; Gjatë daljes nga shtëpia të moshuarit detyrimisht duhet ta mbrojnë kokën me kapelë ose shall; rrobat duhet të jenë të holla, komode, prej liri ose pambuku dhe me ngjyra të hapura; Është e domosdoshme marrja e 2 litrave lëngje gjatë ditës, qoftë si 8 gota ujë ose në formë supe ose çaji; po ashtu duhet anashkaluar ushqimin e fërguar, shumë të njelmët ose të ëmbël ose me mëlmesa të shumta, ndërsa duhet marrë shumë pemë dhe perime sezonale”, thuhet në njoftimin e IKSHPK-së.

Sipas këtij instituti, grupet më të rrezikuara prej temperaturave të larta përveç të moshuarve janë gratë shtatzëna, foshnjat dhe fëmijët e vegjël dhe individët që vuajnë nga sëmundje të ndryshme kronike.