Gripi në Kosovë kalon pragun epidemik, IKSHP jep detaje dhe tregon si të mbroheni

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike gjatë tërë vitit bën mbikëqyrjen permanente të Influencës sezonale me intensifikim të aktiviteteve gjatë sezonës dimrore.

Prej 01 tetor 2019 deri më 9 shkurt 2020 në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike janë testuar gjithsej 522 mostra të dyshimta në Grip, prej të cilave 214 (41 %) mostra kanë rezultuar pozitive, prej të cilave 98 (45.8%) positive në grip A dhe 116 (54.2%) pozitive në grip B.

Hospitalizimet: Në Klinikën Infektive, Klinikën e Pediatrisë dhe spitalet rajonale nga 1 tetor 2019 deri më 09 shkurt 2020 janë hospitalizuar 492 raste me Dg. Bronchopneumonia (ARI), 154 raste me Dg. SNG dhe 35 raste me Dg. SARI dhe 5 raste fatale me sëmundje të mëparshme kronike të njohura dhe një rast si pasojë e gripit sezonal).

Aktualisht situata epidemiologjike është nën kontroll sa i përket gripit sezonal, por me gjendjen aktuale klimatologjike që po mbretëron në Kosovë, pritet të vazhdojë intensitet i lartë edhe muajin e ardhshëm.
Instituti Kombëtar i Shëndetësisë së Kosovës ka rritur vigjilencën për t’u përballur me shtimin e mëtutjeshëm të intensitetit të gripit sezonal.

Mostrat e grumbulluara nga pacientët e qendrave sentinel me ILI ose ARI tregojnë për një pozitivitet në Influencë A Influencë A virusi me subtipin A(H1N1) pdm09 vazhdon të ko-qarkullojë dhe dominon pak ndaj subtipit A(H3). Gjithashtu edhe virusi B/Victoria është në qarkullim duke mbuluar mbi gjysmën e rasteve të diagnostikuara në analizat laboratorike. Te gjitha subtipet fatmirësisht janë në përbërësit e vaksinës së sivjeme katër shtamëshe, të siguruara nga Ministria e Shëndetësisë nga fillimi i sezonit dhe Instituti Kombëtar ka shpërndarë dhe monitoruar zbatimin në çdo QKMF sipas indikacioneve epidemiologjike. Vaksinimi i gjertanishëm në Kosovë ka treguar një efikasitet dhe intensitet mesatar, ulje të rasteve të komplikuara dhe ulje të rasteve të hospitalizuara.

Gjatë javës së VI-të (03.02.2020-09.02.2020) janë raportuar 5454 raste SNG (Sëmundje e Ngjajshme me Gripin), 417 raste ARI (Infeksion Respirator Akut) dhe 13 raste Infeksion i rëndë akut respirator SARI.

Duke pasur parasysh ecurinë e gripit sezonal dhe shtimin në intensitetin e përhapjes në fillim të shkurtit gripi sezonal këtë javë ka arritur pragun epidemik me një intensitet të lartë

Komiteti për monitorimin e sëmundjeve ngjitëse konstaton se:

Gripi sezonal ka kaluar pragun epidemik dhe ka rritur intensitetin nga i mesëm në të lartë. Të njëjtin intensitet të lartë e kanë edhe Bullgaria, Maqedonia, Rumania dhe Serbia, kurse intensistet shumë të lartë: Shqipëria, Greqia dhe Sllovenia, Shtetet e BE kanë regjistruar gjithashtu intensitet të lartë dhe shumë të lartë;

Rekomandimet e gjertanishme të Institutit Kombëtar për gripin sezonal duhet të vazhdojnë dhe vlejnë për tërë territorin e Republikës së Kosovës, duke ritheksuar edhe njëherë masat e domosdoshme në të gjitha institucionet shëndetësore.

Zyrtarët e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë së Kosovës tërheqin vërejtjen se virusi A H1N1 bën pjesë në grupin e viruseve të gripit të zakonshëm duke dhënë rekomandime të duhura profesionale, që qytetarët të kenë kujdes dhe të mos dalin gjatë në ambiente të ftohta, të mos qëndrojnë në lokale të mbyllura me dendësi të madhe të njerëzve, dhe të përdorim sa më shumë lëngje të nxehta dhe vitamina.

Instituti Kombëtar ka dërguar rekomandime të gjitha institucioneve shëndetësore në vend për masat për parandalimin e gruipit sezonal dhe do të informojë rregullisht për ndryshimet në situatën epidemiologjike Ministrinë e Shëndetësisë dhe OBSh.

Rekomandimet për Institucionet shëndetësore

Rekomandimet e Institutit Kombëtar duhet të ndërmerren në mënyrë strikte dhe të kontrollohet efekti i këtyre masave në mënyrë rigoroze:

• Ngritja maksimale e nivelit të vigjilencës dhe gadishmërisë për veprim në situatën e krijuar 24 orë.
• Kontrolli maksimal dhe inspektimet në të gjitha institucionet shëndetësore të vendit (Publike dhe Private),
• Të gjitha rastet e dyshimta në grip të vazhdohet të evidentohen dhe raportohen nga të gjitha Institucionet Publike dhe Private Shëndetësore.
• Në të gjitha institucionet shëndetësore të vendit (Publike dhe Private), të kenë të përgaditura dhoma të veçanta (posaçërisht në Klinikën Infektive të QKUK-së si dhe Institucionet tjera Spitalore të vendit).
• Në të gjitha institucionet shëndetësore të vendit (Publike dhe Private), duhet që të shtohet kontrolli i brendshëm profesional në baza ditore duke implementuar rekomandimet e instancave të larta.
• Të rritet në maksimum përkujdesja e stafit mjekësor dhe jo mjekësor ndaj higjienës personale dhe institucionale.
• Të ndërpriten tërësisht vizitat e pa nevojshme si dhe prezenca e personave të pauniformuar në Institucionet Spitalore.
• Të përdoren nga personeli shëndetësore masat mbrojtëse konform udhëzimeve.
• Të vendosen materialet propagandistike dhe edukative për parandalimin e gripit në Institucionet Shëndetësore, shkollore apo entet publike ku tubohen qytetarët- nga përgjegjësit e tyre.
• Qendrat Kryesore të Mjekësisë Familjare (përfshirë gjithë qendrat e mjekësisë familjare ne vartësi te saj), Spitalet Publike Rajonale dhe spitale e qyteteve, përfshirë edhe ambulancat dhe spitalet private do ti raportojnë informatat rreth rasteve të rënda klinike mbi baza ditore direkt (sipas udhëzimeve) dhe me mjetet më të shpejta të Institutet rajonale të Shëndetësisë Publike.
• Institutet rajonale do ti përpunojnë të dhënat dhe varësisht nga ecuria epidemiologjike raportojnë menjëherë Institutin Kombëtar me mjetin më të shpejt të komunikimit dhe dorëzojnë raportet javore të kompletuara në Institutin Kombëtar.
• Marrja e mostrave për konfirmim laboratorik do të bëhet vetëm te pacient me simptome klinike të bazuara në definim të rastit në Klinikën Infektive.
• Personeli i Klinikës Infektive i dërgon mostrat për konfirmim laboratorik dhe raporton për të gjitha rastet e hospitalizuara duke plotësuar pyetësorin përkatës.
• Akoma mund të vaksinohen grupet e riskut (punëtorët shëndetësorë dhe personat me sëmundje kronike).

Masat praktike në parandalimin e përhapjes së virusit të gripit sezonal.

• Të evitohen sa është e mundur kontaktet e afërta me individë të sëmurë,
• Personat e sëmurë të qëndrojnë në shtëpi në mënyrë që të parandalohet përhapja e sëmundjes
• Të redukohet numri i vizitave të familjarve tek personat e hospitalizuar (SHSKUK, Spitalet rajonale)
• Të evitohen vendet e mbyllura dhe mbingarkuara me njerëz
• Ushqehuni shëndetshëm duke përdorë më shumë vitamina
• Bëni aktivitet fizik dhe gjumë të mjaftueshë.
• Pastroni dhe dezinfektoni mjediset ku qëndroni
• Mbuloni hundën dhe gojën me një shami kur të teshtini dhe kolliteni dhe hidheni më pas në vend të sigurt
• Lani duart shpesh me ujë dhe sapun, ose përdorni solucione duarsh me alkool
• Mos prekni sytë, hundën dhe gojën me duar të kontaminuar, pasi virusi përhapet në këtë mënyrë
• Pastroni dhe dezinfektoni sipërfaqet dhe objektet që mund të jenë kontaminuar nga virusi

Konsultohuni me mjekun për mjekimin me barna kundër gripit, barnat merren vetëm me rekomandimin e mjekut;

Medikamentet kundër gripit nuk kanë efekt parandalues, mund të përdoren vetëm nëse jeni të sëmurë me grip dhe të rekomanduara nga mjeku;

Medikamente kundër gripit duhet të fillohen brenda 48 orëve të para të fillimit të sëmundjes për të pasur efektivitet të lartë;

Medikamente kundër gripit mund ta bëjnë sëmundjen më të butë si dhe të shkurtojnë kohën e sëmundjes. Ato mund të parandalojnë edhe komplikimet e rënda që mund të vijnë nga gripi.

IKSHPK është në gjendje gadishmërie të përcjellë situatën epidemiologjike dhe për çdo ndryshim të situatës do të japi rekomandimet e nevojshme.