Diabeti mund të prekë çdo njeri, çfarë nuk duhet neglizhuar!

02.03.2020

Jo vetëm të rriturit, por në masë edhe fëmijët po rrezikojnë nga ndërlikimet që shkakton sëmundja e diabetit. Kjo sëmundje mund të shfaqet në tre forma, që njihen si diabeti tip 1, ai i tipit 2, si dhe diabeti i shtatzënisë. Përballë rrezikut që paraqesin shifrat në rritje të përhapjes së diabetit, ekspertët e shëndetit […]

Diabeti mund të prekë çdo njeri, çfarë nuk duhet neglizhuar! Foto: Ilustrim

Jo vetëm të rriturit, por në masë edhe fëmijët po rrezikojnë nga ndërlikimet që shkakton sëmundja e diabetit. Kjo sëmundje mund të shfaqet në tre forma, që njihen si diabeti tip 1, ai i tipit 2, si dhe diabeti i shtatzënisë.

Përballë rrezikut që paraqesin shifrat në rritje të përhapjes së diabetit, ekspertët e shëndetit publik apelojnë për kryerjen e kontrolleve të hershme diagnostikuese, si dhe marrjen e masave parandaluese kur një gjë e tillë është e mundur. Në prag të “Ditës Botërore të Diabetit (14 nëntor), specialistët e Institutit të Shëndetit Publik theksojnë se nuk duhet të prisni shfaqjen e simptomave të dukshme për diagnostikimin e sëmundjes së diabetit.

Kontrollet rutinë janë të domosdoshme, pasi sa më herët të zbulohet sëmundja, aq më të lehta dhe të trajtueshme do të jenë edhe ndërlikimet e shkaktuara prej saj. Në vijim të shkrimit specialistët e ISHP-së tregojnë faktet e shpejta që duhet të dini rreth secilës formë të diabetit, si dhe masat që duhet të marrim për të reduktuar rrezikun e ndërlikimeve të shkaktuara nga kjo sëmundje.

Diabeti i tipit 1

Diabeti i tipit 1 karakterizohet nga mungesa e prodhimit të insulinës. .Ky tip diabeti zhvillohet në përgjithësi papritur, shpejt, zakonisht mbas ndonjë gjendje virale, zbulohet me lehtësi, sepse shoqërohet me shenjat klinike karakteristike, që e shqetësojnë të sëmurin dhe e çojnë te mjeku, apo e detyrojnë të bëjë analizat.

Sipas të dhënave të raportuara nga strukturat ndërkombëtare të shëndetit diabeti i tipit të parë prek më shpesh fëmijët. Kjo formë e sëmundjes nuk mund të parandalohet, por simptomat e saj mund të mbahen nën kontroll me ndjekjen e kujdesshme të trajtimit të rekomanduar nga mjeku specialist.

Diabeti Tip 2

Kjo formë e sëmundjes së diabetit është shumë herë më e shpeshtë. Në mbarë botën 90 për qind e njerëzve që vuajnë nga diabeti kanë diabetin e tipit 2.

Nëse më parë fëmijët me diabet tip 2 kanë qenë të rrallë, tani kemi një rritje të këtij tipi të diabetit te fëmijët në mbarë botën, dhe në disa vende përbëjnë gati 1/2 e rasteve të reja të diagnostikuar me diabet te fëmijët dhe adoleshentët.

Diabeti i shtatzënisë

Duhet të dini se edhe gjatë shtatzënisë ndodh që trupi të mos prodhojë dot sasinë e duhur të insulinës, mund të sëmureni me diabet. Nëse nuk trajtohet në këtë fazë shton rrezikun për komplikacione gjatë shtatzënisë dhe lindjes, rrit rrezikun për diabet tip 2 për nënën dhe fëmijën. Mund të diagnostikohet nga ekzaminimet e paralindjes se sa nga shfaqja e simptomave.

“Tipi i 3-tё i diabetit është diabeti gestacional. Ky tip karakterizohet nga hiperglicemia, apo rritja e sheqerit në gjak, me vlera mbi normalen por më të ulëta se vlerat diagnostikuese tё diabetit, dhe ndodh gjatë shtatzënisë. Femrat me diabet gestational kanë një rritje të rrezikut pёr komplikacione gjatë shtatzënisë dhe në lindje. Gjithashtu, ato kanë rrezik mё tё lartë për të zhvilluar diabet Tip 2 në të ardhmen. ni 1 në 6 lindje preket nga niveli i lartë i glukozës në gjak (hiperglicemia”, vënë në dukje specialistët e ISHP-së.

Shenjat dalluese

Ka shumë shenja dhe simptoma që tregojnë për diabetin. Shenjat dhe simptomat përfshijnë: etje e pazakontë, urinim i shpeshtë, ndryshime në peshë (shtim, ose rënie), lodhje ekstreme ose pafuqi dhe mungesë e theksuar energjie, turbullim të shikimit, infeksione të shpeshta dhe të përsëritura, prerje dhe plagë që shërohen shumë ngadalë, ndjesi si shpimi me gjilpëra ose mpirje në duar dhe këmbë”. Këto shenja mund të mos shfaqen të gjitha njëherësh.

Rreziku nga sëmundjet e zemrës

Po sipas të dhënave të raportuara nga strukturat e shëndetit publik saktësohet se sëmundjet kardiovaskulare janë përgjegjëse për 50-80 për qind të vdekjeve te njerëzit me diabet. Diabeti është bërë një nga shkaqet kryesore të sëmundshmërisё dhe vdekjeve të parakohshme në shumicën e vendeve, kryesisht nëpërmjet rritjes së rrezikut të sëmundjeve kardiovaskulare.

Grupmoshat e rrezikuara dhe ndërlikimet

Nё vendet e zhvilluara shumica e njerëzve me diabet janë mbi moshën e daljes në pension, ndërsa në vendet në zhvillim ata më të prekur janë mosha 35 -64 vjeç.

Diabeti është shkaku kryesor i verbërisë, amputimit tё gjymtyrëve dhe insuficiencёs renale. Mungesa e ndёrgjegjёsimit rreth diabetit, kombinuar me aksesin e pamjaftueshëm tё shërbimeve shëndetësore dhe barnave esenciale, mund të çojë në komplikacione të tilla, si: verbëri, amputim të gjymtyrëve dhe mosfunksionim tё tyre.

Bluzat e bardha vënë në dukje se: “Sa më i vjetër të jetë diabeti, sa më shumë vjet i sëmuri të jetë me hiperglicemi, sa më e lartë të jetë niveli i saj, pra sa më i çrregulluar të jetë diabeti, aq më të shpeshta, më të përhapura dhe më të rënda do të jenë ndërlikimet që shkakton”.Diabeti tip 2 mund të parandalohet. Mjafton që të bëni 30 minuta aktivitet fizik i moderuar për 5 ditë në javë dhe të ndiqini një dietë të shëndetshme, janë masat që mund të ulin ndjeshëm rrezikun për të zhvilluar diabet të tipit 2.

Këshillat

Për të minimizuar ndërlikimet e kësaj sëmundjeje rekomandohet kryerja e kontrolleve të rregullta të sheqerit në gjak ,1 herë në vit nëse bën pjesë në grupin e rrezikuar, ndërsa për njerëzit e tjerë këshillohet kryerja e testit 1 herë në 3 vjet.

Gjithashtu duhet të mbani nën kontroll të vazhdueshëm edhe tensionin e gjakut, i cili është një faktor risku për rëndimin e sëmundjes së diabetit.

Të tjera këshilla që nuk duhen neglizhuar janë edhe: mbajta e peshës nën kontroll, kryerja e aktivitet fizik. Sa i takon kujdesit që duhet të tregojmë me ushqyerjen këshillohet pakësimi i marrjes së yndyrave në ushqim, sidomos ato shtazore. Përparësi duhet t’i jepet përdorimit të ushqimeve të pasura me fibra, si: fruta, zarzavate, etj. gjithashtu duhet të shmangni edhe konsumin e alkoolit dhe të duhanit.

Çfarë duhet të dini rreth diabetit tip-1

• Ndodh kur trupi nuk prodhon dot sasinë e duhur të insulinës.

• Diagnostikohet më shpesh tek fëmijët dhe adoleshentët.

• Simptomat më të shpeshta janë etje, humbje peshe dhe lodhje.

• Nuk mund të parandalohet.

• Menaxhimi kërkon injektimin çdo ditë të insulinës, kontroll të rregullt të glukozës në gjak, i cili ndihmon në parandalimin e hershëm të komplikacioneve.

Çfarë duhet të dini rreth diabetit tip-2

• Diabeti tip 2 ndodh kur trupi prodhon insulinë por nuk mund ta përdorë siç duhet.

• Diagnostikohet më shpesh tek të rriturit (adutët).

• Shkaktohet nga kombinimi i historisë familjare dhe faktorëve si ushqyerja jo e shëndetshme dhe mungesa e aktivitetit fizik.

• Është i parandalueshëm.

• Simptomat mund të jenë të ngjashme me ato të diabetit tip 1, urinim i shpeshtë, etje humbje peshë, lodhje, por shpesh diagnostikohet pa simptoma.

• Menaxhimi ka të bëjë me marrjen e rregullt e medikamenteve të rekomanduara.

• Kontrolli i glicemisë në gjak parandalon dhe zbulon kumplikacionet e hershme.

Çfarë duhet të dini rreth diabetit të shtatzënisë

• Kur gjatë shtatzënisë trupi nuk prodhon dot sasinë e duhur të insulinës sëmureni me diabet.

• Gjendje e përkohshme në shtatzëni.

• Nëse nuk trajtohet në këtë fazë shton rrezikun për komplikacione gjatë shtatzënisë dhe lindjes.

• Rrit rrezikun për diabet tip 2 për nënën dhe fëmijën.

• Mund të diagnostikohet nga ekzaminimet e paralindjes se sa nga shfaqja e simptomave.

Personat me diabet duhet të ndjekin një stil jete të shëndetshëm ku duhet:

• Të ushqehen shëndetshëm.

• Të marrin rregullisht medikamentet e përshkruara nga mjeku.

• Të kryejnë aktivitet fizik.

• Të shmangin konsumin e lartë të alkoolit.

• Të mos pinë duhan.

Testet diagnostikuese

Diagnoza e diabetit kërkon kryerjen e dy analizave laboratorike: Matja e glukozës, sheqerit në gjak para ngrënies(esëll) në mëngjes dhe Testi i tolerancës së glukozës,ku mbasi merret nga goja të 75 gram sheqer, matet niveli i sheqerit në gjak çdo 2 orë, ose një ripërsëritje mbas një dite e matjes së glukozës në gjak esëll. Ndërsa matja e hemoglobinës së glukozuar,Hba1c, përdoret kur është diagnostikuar diabeti dhe përdoret për të kontrolluar atë në 2-3 muajt e fundit. Rezultati mund të quhet pozitiv nëse glicemia në gjak para ngrënies është e barabartë ose më shumë se 126 mg/dl, ose testi i tolerancës së glukozës është i barabartë ose më shumë se 200mg/dl dhe nëse glicemia para ngrënies është midis 110-125 mg/dl bëhet fjalë për pre-diabet apo tolerancë e dëmtuar e glukozës.