Bebe Rexha merr pjesë në para-ndejën e “Grammy Awards 2024”,

02.02.2024

Gjersa jemi në vigjilje të ceremonisë së madhe të çmimeve “Grammy Awards 2024”, shtëpi të ndryshme kanë organizuar para-festa për të kremtuar suksesin që artistët kanë arritur gjatë një viti.

Bebe Rexha merr pjesë në para-ndejën e “Grammy Awards 2024”, Foto: Ilustrim

E një festë e tillë e organizuar nga shtëpia diskografike Warner Music Group, zuri vend të enjten në “Hollywood Athletic Club” në Los Angeles të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Sofia Richie, Charlie XCX, Heidi Klum dhe Bebe Rexha ishin ndër yjet më magjepsës që morën pjesë.

Artistja shqiptare me famë botërore, Bebe Rexha, dukej shumë elegante e veshur me një fustan të zi elegant, shoqëruar me një pallto të zezë me lesh.

Me flokët bionde të lëshuara drejt, 34-vjeçarja dukej më se tërheqëse në këtë paraqitje, e cila vjen pak ditë para se ajo të marrë pjesë në mbrëmjen e madhe të “Grammy Awards 2024”, që mbahet të dielën në “Crypto.com Arena” të Los Angelesit.

Për të katërtën herë, shqiptarja do të tentojë të marrë një çmim “Grammy” me vete në shtëpi, pasi është nominuar për çmimin “Kënga më e mirë e zhanrit Dance/Pop”, për hitin e saj “One In A Million”.

Pavarësisht dëshirës së madhe për të fituar këtë çmim ,Rexha mbetet skeptike duke marrë parasysh që ka dështuar plot tri herë, dy nominime në vitin 2019 dhe një në vitin 2023.

Ajo i tha “Forbes” në një intervistë së fundmi, se kishte shpresuar shumë që do të vlerësohej me “Grammy” në vitin 2019 kur ishte nominuar për çmimet “Artistja ere më e mirë” dhe “Performanca më e mirë duo/grup e zhanrit country” për “Meant To Be” – por që ishte ndarë e zhgënjyer nga vlerësimi.