Prokuroria Speciale ngrit aktakuzë ndaj një boshnjaku për krime lufte
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj J. Sh., i nacionalitetit boshnjak, për veprën penale “Krim i luftës kundër popullsisë civile”.
Sipas Prokurorisë, i pandehuri akuzohet për pjesëmarrje në vrasjen e tre civilëve shqiptarë gjatë luftës në Kosovë. Krimi dyshohet se ka ndodhur në shtëpinë e familjes Dyla në Gjakovë. Gjithashtu, i pandehuri dyshohet për përfshirje në dëbimin e familjes Dyla dhe shkatërrimin e pasurisë së tyre.
Aktakuza është paraqitur në Gjykatën Themelore në Prishtinë – Departamentin Special, i cili tashmë ka marrë kompetencat për trajtimin e kësaj çështjeje penale.
I pandehuri ndodhet nën masën e paraburgimit, bazuar në vendimin e gjyqtarit të procedurës paraprake, dhe do të qëndrojë në këtë masë deri në një vendim të ri nga gjykata.