Ngrihet aktakuzë ndaj H.S., dyshohet se spiunonte për BIA-n serbe që nga viti 2009 dhe paguhej deri në 700 euro në muaj

11.09.2025

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj shtetasit kosovar H.S., i cili akuzohet për veprën penale të “spiunazhit”.

Sipas aktakuzës, H.S. dyshohet se nga nëntori i vitit 2009 e deri në momentin e arrestimit më 6 maj 2025, ka bashkëpunuar me Agjencinë e Inteligjencës dhe Sigurisë së Republikës së Serbisë (BIA).

Gjithashtu, ai akuzohet se më 22 nëntor 2015 kishte udhëtuar në Siri dhe i ishte bashkuar organizatës terroriste “ISIS”. Dyshohet se gjatë kësaj kohe, H.S. kishte dërguar te zyrtarët e BIA-së informacione lidhur me numrin e pjesëmarrësve shqiptarë në ISIS, organizimin e tyre dhe zonat në Siri ku ata vepronin.

Pas kthimit në Kosovë dhe vuajtjes së dënimit me burg për pjesëmarrje në organizata terroriste, H.S. dyshohet se ka vazhduar takimet në Serbi me zyrtarë të BIA-së, përfshirë edhe Drejtorin për Luftimin e Terrorizmit, I.B., të cilëve u ka dorëzuar informacione të tjera të ndjeshme.

Sipas aktakuzës, për këto informacione ai paguhej deri në 700 euro në muaj nga zyrtarët e BIA-së.

Prokuroria Speciale ka propozuar që Gjykata të vazhdojë masën e paraburgimit ndaj të pandehurit dhe, pas shqyrtimit gjyqësor, ai të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjeve në fuqi.