Aktakuzë ndaj një personi në Gjakovë për tentim vrasje dhe armëmbajtje pa leje
Prokuroria Themelore në Gjakovë, Departamenti për Krime të Rënda, ka ngritur aktakuzë ndaj një personi me inicialet S.P., për veprat penale “Vrasje e rëndë në tentativë” dhe “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar i armëve”.
Sipas aktakuzës, ngjarja ka ndodhur më 11 prill 2025, rreth orës 13:10, në rrugën “B.Q.” në Gjakovë, ku i pandehuri S.P., pas një mosmarrëveshjeje të çastit, ka tentuar të privojë nga jeta të dëmtuarin P.N., si dhe ka rrezikuar jetën e të dëmtuarit tjetër, A.N.
Ngjarja ka ndodhur në lokalin e të pandehurit, ku viktimat ishin së bashku me vëllezërit A.N. dhe E.N., duke pirë kafe. Pas përplasjes verbale, S.P. ka marrë një armë zjarri dhe ka shtënë tri herë në drejtim të tyre nga një distancë prej tre metrash. Dy prej plumbave e kanë goditur P.N. në këmbën e djathtë, duke i shkaktuar lëndime të rënda trupore, ndërsa A.N. ka shpëtuar pa lëndime. I pandehuri është larguar nga vendi i ngjarjes me armë në dorë dhe ka qëndruar në arrati për rreth tre javë.
Gjithashtu, sipas aktakuzës, S.P. ka poseduar armë të tipit Beretta-Italiane, kalibër 9mm, pa leje dhe në kundërshtim me Ligjin mbi Armët të Republikës së Kosovës. Kjo armë nuk është gjetur deri më tani. Gjatë bastisjes së mëvonshme, policia ka sekuestruar një tjetër armë zjarri me numër serik (prodhim kinez), një karikator me 8 fishekë, një brisk me mbishkrimin “Gerber” dhe një sprej “Pepper Jet”.
Me këto veprime, S.P. dyshohet për kryerjen e veprës penale “Vrasje e rëndë në tentativë”, sipas nenit 173 paragrafi 1 nënparagrafi 1.5 të KPRK-së, në lidhje me nenin 28 të po këtij kodi, si dhe për “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, nga neni 366 paragrafi 1 i KPRK-së.
Prokurori i rastit i ka propozuar gjykatës që i pandehuri të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas dispozitave ligjore për veprat penale që i ngarkohen.