Suharekë, ndërron jetë një qytetar gjersa po shkonte të kërkonte ndihmë mjekësore
Një qytetar ka humbur jetën në Suharekë si pasojë e një sulmi kardiak gjersa po shkonte për ndihmë mjekësore. Ngjarja është raportuar të martën rreth orës 08:55.
Sipas informacioneve, viktima, një burrë, ishte duke udhëtuar së bashku me bashkëshorten e tij drejt një qendre mjekësore, pasi kishte shfaqur probleme shëndetësore dhe nuk ishte ndier mirë. Fatkeqësisht, gjatë rrugës, ai ka humbur ndjenjat dhe ka mbetur i shtrirë në automjet.
Mjeku kujdestar ka arritur menjëherë në vendin e ngjarjes, por, përkundër përpjekjeve, ka konstatuar se viktima kishte ndërruar jetë në vend. Shkaku i vdekjes është identifikuar si sulm kardiak.
Pas ndërhyrjes së autoriteteve përkatëse dhe njoftimit të prokurorit, është vendosur që trupi i pajetë t’u dorëzohet familjarëve për procedurat e mëtejshme.