Pas marrjes së një ankese dhe kërkese për intervenim nga drejtori i shkollës, policia ndërmori menjëherë veprimet e nevojshme për të siguruar qetësinë e banorëve.

Stacioni Policor në Dragash shtoi patrullimet në zonën e Bellobradit dhe koordinimi u bë me institucionet kompetente, përfshirë Agjencinë për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës, Drejtorinë e Parkut Kombëtar “Sharri”, Drejtorinë Komunale për Bujqësi, Pylltari dhe Zhvillim Rural, si dhe Shoqatën e Gjuetarëve “Dhia e Egër” nga Dragashi.

Nga Shoqata e Gjuetarëve u bë e ditur se aksioni për largimin e arinjve përfundoi me sukses. Arinjtë u kthyen në habitatin e tyre natyror në pyje dhe u ushqyen në vendbanimin e tyre, duke siguruar që të mos rikthehen në zonat e banuara.

Policia e Dragashit konfirmon se zona është e sigurt për qytetarët dhe falënderoi të gjitha institucionet dhe shoqatën e gjuetarëve për bashkëpunimin e treguar gjatë këtij aksioni.