Qytetari e dorëzon në polici kuletën me mbi 3 mijë euro që e gjeti në rrugë, paratë i kthehen pronarit
Një gjest i rrallë dhe për t’u vlerësuar ka ndodhur në Istog, ku një qytetar ka dëshmuar ndershmëri dhe përgjegjësi të lartë qytetare.
Sheremet Osmanaj ka dorëzuar në Stacionin Policor të Istogut një kuletë që kishte gjetur në rrugët e qytetit, ku ndodheshin plot 3,194 euro e 30 centë.
Policia e Kosovës njofton se rasti është raportuar më 15 nëntor 2025, kur Osmanaj është paraqitur në polici për të dorëzuar kuletën e gjetur. Brenda saj janë gjetur të hollat në vlerën e theksuar, si dhe dokumente që i përkisnin pronarit.
Pas pranimit të kuletës, policia ka identifikuar personin të cilit i kishte humbur dhe e ka ftuar në stacion. Aty, zyrtarët policorë i kanë kthyer kuletën bashkë me shumën e plotë të parave.
Në komunikatë, Policia e Kosovës ka falënderuar qytetarin Osmanaj për veprimin e tij, duke e cilësuar si shembull të përgjegjësisë dhe integritetit qytetar.
Ky rast vjen si dëshmi se solidariteti dhe ndershmëria vazhdojnë të jenë vlera të forta në shoqërinë kosovare.