Policia shqiptoi mbi 2 mijë gjoba trafiku dhe arrestoi 19 persona në 24 orët e fundit
Policia e Kosovës ka bërë të ditur se gjatë 24 orëve të fundit janë shqiptuar mbi 2 mijë gjoba për shkelje në trafikun rrugor, në kuadër të kontrolleve dhe monitorimit të rregullt nëpër rrugët e vendit.
Sipas njoftimit zyrtar, janë evidentuar gjithsej 67 aksidente në trafik, prej të cilave 24 kanë qenë me të lënduar, ndërsa 43 të tjera kanë rezultuar vetëm me dëme materiale.
Përveç statistikave të trafikut, Policia ka njoftuar edhe për masat e ndërmarra në fushën e sigurisë publike. Gjatë kësaj periudhe 24-orëshe, janë arrestuar 19 persona, 11 janë dërguar në mbajtje, ndërsa 2 të tjerë janë dërguar për të vuajtur dënimin.
Policia e Kosovës u bën thirrje qytetarëve për kujdes dhe respektim të rregullave të trafikut, me qëllim të parandalimit të aksidenteve dhe rritjes së sigurisë në rrugë.